Rektorati iu kthen përgjigje negative veteranëve

Lajme

Rektorati iu kthen përgjigje negative veteranëve

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 13:35

Rektorati i Universitetit të Prishtinës nuk e ka në plan të thyejë ligjin për të pranuar më shumë studentë se sa ishin paraparë në dy konkurset publike.
Nëpërmjet një njoftimi për media, UP ka njoftuar se në afatin e dytë ka pasur përparësi për fëmijët e kategorive të luftës, por tash është e pamundshme të regjistrohen edhe më shumë se një mijë të tjerë duke thyer rregullat e konkursit.

"Konsiderojmë se veprimet tona të deritanishme kanë qenë në përputhje me ligjin dhe normat akademike dhe të tilla do të jenë edhe në të ardhmen", thuhet në komunikatën e UP-së, ku bëhet e ditur se Universiteti i Prishtinës iu ka dhënë prioritet të gjithë fëmijëve të dëshmorëve në raport me kandidatët e tjerë në të dyja afatet e regjistrimit, duke i regjistruar të gjithë ata të cilët e kanë plotësuar kriterin minimal akademik në afatin e parë, dhe për më shumë, duke u ofruar pikë bonusi në afatin e dytë.

"Kështu janë regjistruar 129 studentë, ndërsa nga ne kërkohet t’i regjistrojmë edhe 1050 studentë nga kategoritë tjera, me ç’ rast nuk merren parasysh kriteret akademike dhe as kapacitetet tona të infrastrukturës dhe personelit mësimor". Përmes kësaj komunikate, Rektorati deklaron se menaxhmenti i Universitetit synon që ta ngrisë cilësinë e studimeve në të gjitha nivelet me qëllimin kryesor që të jemi universitet konkurrues brenda Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat