Ramadani lutet me poezi për Kosovën

Lajme

Ramadani lutet me poezi për Kosovën

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 11:36

Sekretari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, duke shprehur keqardhje për gjendjen në të cilën po kalon Kosova, ka vendosur qe kësaj të fundit t’ia kushtoj një poezi.
Ai, në poezinë e tij e lut Zotin, madje duke mos e kursyer as veten nga kritikat, që Kosova të shpëtojë nga dora e “politikanëve zullumqarë”.

Që qytetarët e Kosovës të kenë më pak probleme e telashe, duke iu kthyer dinjiteti njerëzor.

Më poshtë mund ta lexoni poezinë e Ramadanit:

Lutje për Kosovën

Të lutem o Zot të kesh mëshirë për ne

Për ne mëkatarët e shtetit tonë

Për ne të padijshmit

Për ne lakmitarët

Për ne të pangopurit

Të lutem o Zot të shpëtosh të tjerët
nga ne

Sepse ne po u marrin shpresën

Sepse ne po u shkatërrojmë jetën

Sepse ne po u dëmtojmë mirëqenien

Sepse ne s’po ua ndalim zullumin

Të lutem o Zot të na hapësh sytë

Mos të vazhdojmë më kështu pa dije

Mos të mbysim mundësitë
për jetë të mirë

Mos të mbyllim çdo derë të përparimit

Mos të vrasim ëndrrat

Të lutem o Zot të na kujtosh detyrat

Jo rrallëherë po harrojmë
pse jemi në këtë botë

Jo rrallëherë po bëjmë pazar
me jetët e të pafajshmëve

Jo rrallëherë po keqpërdorim

Jo rrallëherë po mashtrojmë

Të lutem o Zot të na mbrosh fëmijët

Fëmijët e Kosovës

Fëmijët e dëshmorëve

Fëmijët e mësimdhënësve e punëtorëve

Fëmijët për të cilët ne kemi harruar
të mendojmë

Të lutem o Zot të kujdesesh për të moshuarit

Ata janë krejtësisht pa mbështetje

Ata po jetojnë dallgë të pandalshme
të jetës

Ata nuk mund të përballojnë dhimbjet

Ata i kemi kthyer në lypsarë

Të lutem o Zot të fuqizosh të rinjtë

Që të largohen nga
drogat e prostitucioni

Që të kthejnë fuqinë e ndryshimit

Që të marrin vullnetin për zhvillim

Që të ndërtojnë e mos shkatërrojnë

Të lutem o Zot për Kosovën

Ke mëshirë për shtetin tonë

Na jep mirësinë Tënde

Na mëso për të mos gënjyer më

Na ruaj ekzistencën që po e shkatërrojmë

Të lutem o Zot na shpëto Kosovën tonë.

Shpëtoje prej nesh

Jemi pak zullumqarë

Janë shumë ata që vuajnë!

Burim Ramadani

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat