VV: Emigrimi nuk mund të pengohet me polici

Lajme

VV: Emigrimi nuk mund të pengohet me polici

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 15:28

Sot në një adresim për media 15 të rinj e të reja bënë publike një deklaratë në lidhje me gjendjen social-ekonomike në vend e veçanërisht edhe në Gjilan referuar largimeve masive të muajve të fundit.
"Kosova është shtet që udhëhiqet nga kastat e papërgjegjshme, të cilat të vetmin synim e kanë luksin dhe pasurimin personal punësimi i qytetarëve të thjesht konsiderohet privilegj. Në të shumtën e rasteve punësimi bëhet përmes lidhjeve familjare ose korruptimit të punëdhënësve. Punësimi në sektorin privat përcillet me shkelje të rënda të të drejtave të punëtorëve, punëtor këta që i mbron as shteti e as sindikatat të cilat nuk e luajnë rolin për të cilin janë formuar. Kjo kategori e të punësuarve detyrohen të punojnë me orar të stërzgjatur, shpesh pa asnjë ditë pushimi në javë dhe pa pushim vjetor, pa të drejtë në pushim mjekësor e në pushim të lehonisë. Të ardhurat e tyre janë shumë më të ulëta se të ardhurat zyrtare minimale, që as përafërsisht nuk i mbulojnë nevojat elementare të një familjeje. Shpesh ndodh që atyre të ju vonohen pagat, e ndonjëherë ndodh që ato mos t’ju jepen kurrë” thuhet në njoftimin e VV.

Sipas tyre kjo situatë nuk ka ndryshuar pothuajse fare në 15 vitet e pasluftës. Edhe këta sundimtarët e Kosovës së lirë dhe të pavarur, gjatë këtyre viteve kanë bërë për vete dhe familjet e tyre pasuri përrallore, duke varfëruar qytetarët e Kosovës.

Nga kjo, më së shumti po goditen gjeneratat e reja të cilët problemin e punësimin po mundohen ta zgjidhin duke emigruar ilegalisht. Udhëtimi përmes kanaleve ilegale, që po ju kushton shumë shtrenjtë, shpesh po përfundon nëpër kampe ose burgje të vendeve tjera.

Ne ju bëjmë apel të gjithëve, që të mos largohen nga vendi, por bashkërisht të përpiqemi të krijojmë kushte për një jetë normale në vendin tonë. Kjo përveç tjerash mund të arrihet përmes luftës ton kundër pushtetarëve të korruptuar, deri në pamundësimin e keqpërdorimeve nga ana e tyre dhe bërjes së Kosovës shtet normal e të jetueshëm.

Pushtetarët duhet ta kuptojnë se emigrimi nuk mund të pengohet me polici. Emigrimi parandalohet me politika zhvillimore, me formimin e shtetit të së drejtës dhe shtetit social përfundon njoftimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat