OJQ’ja që u mbyll nga shteti mbledh fonde në zyrat e KEDS’it

Lajme

OJQ’ja që u mbyll nga shteti mbledh fonde në zyrat e KEDS’it

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 12:30

Pas aksioneve anti-terror të Prokurorisë së Shtetit institucione tjera kosovare të sigurisë mbyllën shumë Organizata Jo-qeveritare të deklaruare me orientim fetar. Ato u mbyllën nën dyshimin për aktivitet kundër-kushtetutës.

Në Pejë është mbyllur OJQ’ja “Pema e Bamirësisë”, një OJQ që siq ka raportuar Express, është ngushtë e lidhur me Këshillin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) në Pejë që për krye-imam e ka Enes Gogën, një imam i arrestuar më parë për nxitje të urrejtjes e që hetohet edhe për përdhunim varrezash.

Por, kjo OJQ pos që është raportuar nga Express ditë më parë se po funksionon nën mbulimin e shoqatës humanitare të BIK’ut, “Bereqetit”, ajo po operon edhe në zyrat e kompanisë turke të shpërndarjes së energjisë (KEDS).

“Pema e Bamirësisë” që në publik ka funksionuar si OJQ’ja e Gëzim Sahahrës, nj punëtor i Këshillit të BIK’ut në Pejë, grumbullon para në zyrat e KEDS’it me anë të arkave që ka vendosur tek vend-pagesat e energjisë elektrike.

Guri Shkodra nga “Paper Communications” tha për Express se pas interesimit të gazetës KEDS’i i ka larguar, por ai ka edhe një shpjegim se si një OJQ e mbyllur për veprimtari kundra-kushtetuese operon në zyrat e kësaj kompanie private.

“Arka është vendosur aty shumë kohë para ardhjes se KEDS (gjate kohës së KEK) dhe ka mbet aty nga ajo kohë”, thotë Shkodra për Express.

Express ditë më parë ka raportuar se “Pema e Bamirësisë” nuk po e respektonte vendimin shtetëror për pezullim të aktivitetit dhe kjo OJQ po përdorte shoqatën humanitare “Bereqeti’, që është organ i Kryesisë së BIK’ut, si mbulesë.

Anëtarë të shoqatës “Pema e Bamirësisë” patën shpërndarë ndihma me fanella të “Bereqetit”. E drejtori i kësaj të fundit pati deklaruar për Express nuk është në dijeni për këtë aktivitet.

Organet e hetuesisë deri tash kanë mbyllur, në kuadër të hetimeve të tyre për anti-terrorizëm mbi 10 OJQ’ për aktivitet e dyshimta të të cilave dhe lidhjet me terrorizmin kishte raportuar kohë më parë Express, siç janë: “Al Waqf Al Islami” me numër regjistri 5300183-1; “Sinqeriteti” nga Prizreni me numër regjistri: 5102259-9; “Rinia Istogase” me numër regjistri: 51127706-6; “Pema e Bamirësisë” nga Peja me numër: 5111354-3; “Parimi” nga Kaçaniku me numër: 5113018-9; “Njëshmëria” nga Gjilani me numër: 5102111-8; “Nektari-HE” me numër: 5113004-9; “KAD” në Podujevë me numër: 5110388-2; “Gjurma” me numër: 5100152-4; “Kalliri i Mirësisë” me numër: 5100070-6; “Çelësi” me numër: 5113595-4; “Argumenti” me numër: 5114312-4; “AKEA” me numër: 5110087-1.

Express kishte raportuar se ishin OJQ’të ato që po e mundësonin rrugën e kosovarëve për xhihad në radhite e Shtetit islamik të Irakut dhe Shamit (ISIS) dhe krahun e Al-Kaidës në Siri- “Xhabhatu Al- Nusra”.

Ndjekja e tragut të xhihadistëve nxjerr që si pikë takimi mes xhihadistëve kosovarë dhe drejtuesve të luftës-terroristëve të ISIS’it ishin kampet e refugjatëve sirianë në Turqi dhe ndërmjetësonin OJQ’të turke që dikur kishin punuar në Kosovë, siç ishte OJQ’ja “IHH” e cila është bastisur në një aksion anti-terro të Prokurorisë Turkë.

Në një reportazh ekskluziv nga Kaçaniku, Express raportoi se si shoqata ‘Rinia Islame Kaçanik (RIK)”- e paregjistruar por e krijuar nga terroristi Lavdrim Muhaxheri dhe “Parimi” – tash e mbyllur dërgonin xhihadistë në ISIS (RIK’u) dhe në Al-Nusra (shoqata “Parimi” ku ligjëronte imami i BIK’ut Tafil Ramuka nga Hani i Elezit).

Të dhëna të vjetra të OSBE’së dhe CIA’së thonë se në Siri e Irak, si xhihadistë, janë përfshirë mbi 150 kosovarë, derisa numri mund të jetë edhe më i madh, pasi që disa prej tyre, sikurse Arben Zena qenë kthyer dhe kishin marrë familjet e tyre edhe para se El-Bagdadi të lëshonte thirrjen e tij në ditën e parë të “Ramazanit 2014” për “hixhret” në shtetin e tij të ISIS’it (“hixhreti” është shpërngulja e shenjtë për tu bashkuar në një shtet, në shtetin e Profetit Muhamed – sipas historisë islame).

Deri tash janë futur në procedura penale afro 100 kosovarë, nga xhihadistë të kthyer nga lufta në Siri e Irak e deri imamë të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) si dhe politikanë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka deklaruar publikisht që mirëpret çdo informacion në lidhje me dyshimet për përfshirje të kosovarëve në grupet terroriste në Siri e Irka, derisa prokuroria Speciale ka konfirmuar që kanë disa raste të anti-terrorizmit nën hetim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat