Vlerësohet lart figura e Riza Llukës

Lajme

Vlerësohet lart figura e Riza Llukës

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 12:06

Me një mbledhje komemorative në Teatrin “Istref Begolli” në Pejë është përkujtuar vepra dhe jeta e Riza Llukës, veprimtarit të çështjes kombëtare dhe drejtorit të RTV “Dukagjini”, i cili ndërroi jetë dje. Varrimi i tij bëhet sot në orën 13:00 në varrezat e qytetit në Pejë.

Familjarë miq, dashamirë dhe përfaqësues institucionesh e organizatash të ndryshme, të nivelit qendror dhe atij lokal, kanë marrë pjesë në akademinë përkujtimore të organizuar në nderim të jetës dhe veprimtarisë së Riza Llukës, veprimtar i çështjes kombëtare dhe drejtorit të RTV “Dukagjini”, i cili ndërroi jetë dje në moshën 71 vjeçare.

Në këtë mbledhje u vlerësua lartë aktiviteti dhe kontributi i Riza Llukës i dhënë për çështjen kombëtare edhe në ditët më të vështira për vendin.

Ai njihet për veprimtarinë e tij politike si delegat i Kuvendit të Kosovës në periudhën 1982-1990 dhe ishte deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës, të panjohur ndërkombëtarisht, në vitet 1992 – 1998.

Përfaqësues të institucioneve dhe të partive politike në Kosovë e kanë cilësuar kontributin e zotit Lluka në periudhat e ndjeshme të historisë së Kosovës si pjesë të rëndësishme të kësaj historie.

Familjes, korporatës dhe RTV “Dukagjinit” po i arrijnë telegrame të shumta ngushëllimi, për çka Këshilli Organizativ i ceremonisë mortore u është mirënjohës.

Varrimi i tij bëhet sot në orën 13.00, në varrezat e qytetit të Pejës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat