Termokos shtynë afatet, 42 ditë pa ngrohje

Lajme

Termokos shtynë afatet, 42 ditë pa ngrohje

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 11:16

Kanë kaluar 42 ditë që kur Ndërmarrja Publike “Termokos”, e mbikëqyrur nga Komuna e Prishtinës, është dashur të fillojë sezonin e ngrohjes së kryeqytetit, por papërgjegjësia, jo vetëm e personave përgjegjës, por edhe ajo institucionale, ka arritur shkallën e idiotizmit.
Kur dikush shkelë afatet e përcaktuara, rregulloret dhe ligjet në fuqi, dorëhiqet ose ndëshkohet për papërgjegjësi, e kur kjo tolerohet nga institucionet, atëherë veprimet e këtilla cilësohen nga qytetarët edhe si veprime idiotike.

Pasi ka dështuar përfundimi i projektit të ngrohjes nga Termocentrali “Kosova B” në afatin e caktuar, për shkak të papërgjegjësisë së punëkryesit dhe mbikëqyrësve, u tha se funksionalizimi i “Termokosit” do të bëhet më 24 nëntor, edhe pse është dashur të jetë në funksion me 15 tetor.

Dhe derisa qytetarët mërdhijnë, kush nga të ftohtit dhe kush nga faturat e dyshimta të KEDS-it, është shtyrë edhe afati i dytë i përfundimit të këtij projekti, i financuar kryesisht nga donacionet e huaja, jo nga institucionet e lartpërmendura.

Dhe si zakonisht askush nuk është fajtor, askush nuk ndëshkohet, derisa zyrtarët kanë “mijëra” arsye për të arsyetuar papërgjegjësinë e tyre.

“Ne jemi duke iu përmbajtur me përpikëri planit të hartuar për testimin e pajisjeve të ngrohjes. Funksionalizimi i ngrohjes nëpërmes projektit të kogjenerimit është një proces mjaft kompleks. Janë duke u bërë testimet e pajisjeve të ngrohjes, të cilat deri më tani kanë rezultuar me sukses të plotë”, është përgjigja që ka marrë lajmi.net nga Kompania Publike “Termokos”.

“Pasi që ky projekt është duke u realizuar për herë të parë në Kosovë, janë instaluar pajisje komplekse dhe të kushtueshme, testimet janë duke u bërë hap pas hapi për të testuar sigurinë e pajisjeve të ngrohjes, në mënyrë që të sigurohemi, që gjithçka është në rregull dhe mund të fillojmë furnizimin me ngrohje”.

“Më saktësisht, fillimi i furnizimit me ngrohje nëpërmes Termocentralit “Kosova B”, është çështje ditësh”, thuhet në përgjigjen zyrtare të kësaj kompanie, e cila ende nuk e ka të qartë se cilën ditë do të lëshohet ngrohja e qytetit, ani se deri tani kanë kaluar 42 ditë pa ngrohje.

Të ftohtit, mungesa e ngrohjes, ndryshimi i temperaturës nga dhoma në dhomë, ka bërë që të shtohet numri i pacientëve në Klinikën Emergjente dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare, dhe sidomos i fëmijëve që janë më të ndjeshëm ndaj temperaturave që kanë zbritur në zero.

“Ngrohjet i kemi pritur më 15 tetor, pasi gjatë gjithë verës kanë bërë sikur po punojnë. Tashti nuk i lëshuan as me 24 nëntor dhe nuk dihet se kur do të lëshohen, as nëse do të funksionojnë kur kjo të ndodhë. Asgjë nuk është e sigurt në ketë vend, përveç papërgjegjësisë dhe gënjeshtrave të tyre që i dëgjojmë përditë përmes mediave”, thotë Labinot Saliu, banor i lagjes “Dardania” derisa hyn në ndërtesën e KEDS-it për të paguar faturën mujore prej 128 eurosh, për shpenzimin e energjisë elektrike.

“Idiotësia në Kosovë duket sikur nuk ka fund. Pothuajse askush nuk mban përgjegjësi për situatën në të cilën jemi. Prandaj sërish ka filluar ikja masive nga ky vend”, thotë Labinoti, i mllefosur se i duhet të ndajë gati gjysmën e pagës për ngrohjen me rrymë të njërës prej dhomave të banesës së tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat