Shpendi heq dorë nga shitja e “Q7-shit të Isës”, nuk e nxjerr më në ankand

Lajme

Shpendi heq dorë nga shitja e “Q7-shit të Isës”, nuk e nxjerr më në ankand

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 11:15

As nuk po e vozitë e as nuk po mund ta shesë. Vetura Audi Q7 e ish-kryetarit të Prishtinës Isa Mustafa, ende vazhdon të “myket” në garazhet e Komunës. Kjo veturë nuk është ndezur që kur në krye të komunës ka ardhur Shpend Ahmeti i VV’së. Ai gjatë fushatës elektorale pati premtuar se këtë veturë do ta shesë me marrjen e “timonit” të Komunës. Mirëpo tani, kur kanë kaluar njëmbëdhjetë muaj nga marrja e kësaj pozite, Shpendi ende nuk ka arritur ta shesë këtë veturë e ta përmbushë premtimin publik.
Shpend Ahmeti duket se është dorëzuar para fjalëve të veta publike. Ai dhe komunë e Prishtinës nuk po mund ta realizojë premtimin e dhenë, për shitjen e veturës Audi Q7. Shitjen e saj e kanë provuar dy herë në ankande publike por nuk patën sukses. E tani, të lodhur në këto dështime, duket se kanë hequr dorë krejt nga shtija e saj dhe më as në ankand nuk po e qesin.

Oferta e fundit për shitjen e kësaj veture ishte shpallë nga komuna e Prishtinës më datën 13/08/2014 dhe ishte mbyllur më 02/09/2014. Nga atëherë e deri tani kanë kaluar afër dy muaj.

Sipas njoftimit në KRPP çmimi fillestar për ta blerë veturën e kësaj komune ka qenë 41 mijë e 810 euro, derisa është thënë disa herë se kjo veturë ishte blerë nga ish-kryetari Isa Mustafa 76 mijë euro.

Express tani e disa ditë ka tentuar të marrë përgjigje në komunën e Prishtinës, lidhur me shitjen e kësaj veture dhe për veprimet e ardhshme, por kjo ka qenë e pa mundur për shkak të mospërgjigjes nga ana e tyre.

Gazeta ka mësuar nga burimet e veta se drejtuesit e komunës së Prishtinës, tani po planifikojnë mënyra të tjera për ta shitur këtë veturë. Siç tregojnë këto burime, njëra nga metodat që do të provojë komuna është ekspozimi i veturës në sheshet e kryeqytetit.

Aprovimin për shitjen e kësaj veture, kryetari Ahmeti e kishte marrë muaj me parë nga Kuvendi Komunal. Atë kohë, i pari i Prishtinës, kishte treguar se aprovimi është bërë pa votat e LDK-së.

“Me gjithë kundërshtimin e LDK-së, Kuvendi Komunal votoi propozimin tim për ta shitur veturën Audi Q7. Tani do të zhvillojmë procedurat e parapara me ligj për shitje”, kishte shkruar Ahmeti në profilin e tij në Facebook.

E, në vendimin e arsyetimit të shitjes së veturës, që i është dërguar Asamblesë, kryetari Shpend Ahmeti kishte deklaruar se veturën do ta shesë për shkak të shpenzimeve te larta.

“Që nga fillimi i qeverisjes, unë si Kryetar kam vendosur që të mos e përdorim makinën. Kjo për shkak të shpenzimeve të larta dhe për shkak të makinave të tjera në dispozicion në garazhin e Komunës. Përderisa makina është amortizuar që nga viti 2011, ne vlerësojmë se për shkak të mospërdorimit nga ana jonë, kjo makinë do të zhvlerësohet plotësisht në fund të mandatit 4-vjeçar. Andaj, me qëllim të mbrojtjes së interesit të Komunës dhe ruajtjes së vlerës së pronës, kërkojmë nga Kuvendi që të miratojë shitjen e kësaj veture”, thuhet në arsyetimin Ahmetit.

Ndërsa, mjetet nga shitja e makinës, sipas kreut të Komunës, është thënë se do të transferohen në buxhetin e subvencioneve në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ku aplikojnë OJQ-të, rastet sociale dhe rastet e tjera në këtë fushë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat