Armëmbajtja pa leje, shqetësim dhe rrezik për qytetarët

Lajme

Armëmbajtja pa leje, shqetësim dhe rrezik për qytetarët

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 11:06

Me 13 tetor, në mes të ditës në qendër të kryeqytetit, pati gjetur vdekjen punëtori i lokalit ‘Bon Vivant’ Rrahman Uka, pas një sulmi me armë zjarri.

Ky është një nga dhjetë rastet e vrasjeve me armë zjarri që kanë ndodhur vetëm gjatë këtij viti.

Armëmbajtja pa leje, vazhdon të jetë shqetësim dhe rrezik potencial për qytetarët e Kosovës dhe këtë e pranojnë edhe zyrtarët nga institucionet e sigurisë.

Ndonëse ligji për armë është aprovuar në vitin 2009, policia e Kosovës brenda vitit konfiskon mijëra armë pa leje, shkruan transmetuesi publik.

Sipas raporteve të policisë, nga viti 2003 deri më tani janë konfiskuar afro 20 mijë armë.

Në vitin 2003 sipas policisë u patën konfiskuar 1610 Armë ilegale, në 2005-ën janë konfiskuar afro 2000 armë ilegale, trendi i konfiskimeve bie në vitin 2009 me 1477 armë të konfiskuara. Ndërsa në vitin 2014 deri më tani janë konfiskuar 1089.

Zëdhënësi i Policisë Baki Kelani, thotë se policia e Kosovës në vazhdimësi ka aksione të konfiskimit të armëve ilegale, por shton se kërkohet më shumë vetëdijësim qytetarë.

“Shifra pothuajse të përafërta ndër vite, por kjo nuk do të thotë që policia nuk ka avancuar me planet e saj. Përveç planeve operacionale dhe punëve të saj ditore, në sezon të verës kemi implementuar plane të veçanta, të cilat u janë kushtuar përdorimit të armëve pa leje. Gjatë këtij sezoni numrin më të madh të armëve e konfiskojmë me që në disa zona ende përdorin armë në ceremoni festive". sqaron Kelani.
Në ministrinë e Punëve të Brendshme e cila është monitoruese e ligjit për armë janë të vetëdijshëm për qarkullimin e paligjshëm të armëve në duart e qytetarëve, por drejtori i departamentit për siguri publike, Mensur Hoti thotë se sa i përket armëve ilegale, duhet bazuar në shifra zyrtare e jo në përcepsione publike.

"Duhet të jemi të vetëdijshëm që në duart e qytetarëve do të ketë armë të pa regjistruara, kjo është dukuri e zakonshme në të gjitha vendet evropiane. Pra ka numër të armeve të paregjistruara. Por përderisa ato nuk shfrytëzohen për krim dhe nuk hyjnë në kanale të kontrabandimit, ato janë më pak të rrezikshme për qytetarët”, thotë ai.
Sipas një hulumtimi të bërë nga UNDP, në vitin 2003 ishte konstatuar se në Kosovë qarkullojnë rreth 450 mijë armë të pa ligjshme, por udhëheqësi i departamentit për kontroll të armëve të shkurta në UNDP, Alain Lapon konsideron se tani situata në Kosovë ka ndryshuar dhe do duhej të bëhej një hulumtim i ri, për të kuptuar se si qëndron Kosova në këtë aspekt.

Bazuar në ligj janë disa procedura që duhet të ndjekin palët e interesuara për tu paisur me leje për armë.
Artan Zaimi, zyrtari për shitje në njërën nga tetë poligonet e shenjtarisë dhe shitjes së armëve, thotë se ka shumë të interesuar për të bërë blerje të armëve.

"Ndonëse nuk ka statistika të mirëfillta, numri i blerësve është i konsiderueshëm", thotë Zaimi.
Lëshim të lejes për armëmbajtje bënë Ministria e Punëve të Brendshme, dhe deri janë legalizuar 35 mijë armë.

Në polici pranojnë se ka raste kur armët e legalizuara keqpërdoren, sipas zëdhënësit Kelani, keqpërdorimet më të shpeshta ndodhin në zona rurale, posaçërisht gjatë ahengjeve.

Armët që përdoren në mënyrë ilegale përbëjnë rrezikë për shoqërinë. Shpesh ka pasur raste kur fëmijët kanë bërë përdorim të armëve në shtëpitë e tyre, ndërsa ligji për armë definon se si duhet të mbahen armët në shtëpi. Gjithashtu zakoni i përdorimit të armëve nëpër ahengje sjell shpesh raste të aksidenteve deri me pasoja vdekjeprurëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat