Ish prokuroja Bamieh, dëshmitë e reja, janë akuzë e montuar!

Lajme

Ish prokuroja Bamieh, dëshmitë e reja, janë akuzë e montuar!

Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 22:31

Ish prokuroja e EULEX-it, Maria Bamieh e njohur për zbulimin e skandaleve në EULEX, i është kundërpërgjigjur akuzave të bëra nga kolegët e saj, të cilët thuaja e poshtëruan me rrëfimet e tyre, të martën në rastin e gjykimit të Sekiraçës.
Por Bamieh i ka shfrytëzuar këto akuza ndaj saj, për të ringritur akuzat për ish kryeprokurorin Francessco Flori, i cili sipas saj mund të jetë përgjegjësi për fshehjen e provave, pasi dëshmitarët kishin akuzuar prokurorin italian Flori.
“Jam shumë e befasuar me deklaratat e ish-kolegëve të mi të bëra sot gjatë seancës në rastin Sekiraqa. Ky është një rast të cilin EULEX-i ka dashur ta ndalojë që nga fillimi i tij pasi që dëshmitarët kishin bërë akuza kundër Francessco Florit”, thotë Baimieh.
Ajo ka thënë se do të kërkojë përgjegjësi për këto akuza. “Nuk kam fshehur ndonjë provë apo dëshmi nga gjykata dhe kjo është një akuzë e rëndë për të cilën do të kërkoj përgjegjësi”, thotë ajo, në një deklaratë për media të dërguar në mbrëmje.
Ajo madje hedh dyshimin, se dikush ka mundur të manipulojë me dëshmitë që pretendon prokuroria pretendon se i ka gjetur në zyrën e saj, duke i vendosur ato aty. “Dëshiroj t’i bëj të ditur të gjithëve që zyra ime është kontrolluar pa qenë unë fare e pranishme, gjë që është në kundërshtim me të gjitha procedurat hetuese, dhe kushdo ka mundur të vendosë dëshmi aty. Nuk jam duke thënë që një gjë e tillë ka ndodhur pasi që ende besoj në kolegët e mi, pavarësisht rrethanave të vështira nëpër të cilat jam duke kaluar”, thotë Bamieh.

Ajo thotë se prokurorëve iu jepet mundësia e transferimit të lëndëve vet, por asaj nuk i është dhënë kjo mundësi, dhe kështu asaj, i është pamundësuar e drejta. “Besoj që çështjes së dëshmive EULEX-i është duke i dhënë drejtim të gabuar qëllimisht për të cilën ekziston shpjegim ligjor. Mua nuk më kanë dhënë mundësi që të transferoj rastet e mija tek prokurorët tjerë dhe askujt nuk i lejohet të flasë me mua. Sikur të lejohesha të transferoja punën time si duhet këto akuza nuk do të ishin bërë”, thotë ajo.

Bamieh kërkon publikisht që të dijë se për çfarë dëshmi të fshehura bëhet fjalë. “Pse do të fshihja dëshmi dhe t’i lija ato në zyrën time? Kërkoj të di se çfarë kanë thënë prokurorët për këtë çështje në gjykatë. Sidoqoftë, unë do të përgjigjem në të gjitha çështjet që ngriten nga hetuesi special dhe do të kërkoj që kjo çështje të hetohet deri në fund”, thotë ish prokuroja Bamieh, që u shkarkua nga EULEX-i me dyshimin se kishte rrjedhje të informacionit. BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat