Arrestohet edhe Ferdije Zhushi Etemi

Lajme

Arrestohet edhe Ferdije Zhushi Etemi

Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 12:13

(E plotësuar) - Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Policia e Kosovës ka kryer sot një operacion në Agjencionin Kosovar të Akreditimit në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë thuhet se si rezultat janë arrestuar F.Zh.E, zyrtare e këtij agjencioni dhe A.M., ish zyrtar i lartë në UNDP, si dhe ka bastisur shtëpitë e tyre.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, si dhe raportin mbi veprimet e ndërmarra nga Departamenti Special Antikorrupsion në Policinë e Kosovës, më 14 nëntor 2014, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve kundër: B.M. zyrtar i Agjencionit Kosovar të Akreditimit, F.Zh.E. zyrtare e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, si dhe A. M., ish zyrtar i lartë në UNDP”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Sipas njoftimit, për të pandehurit ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojnë dobi në mënyrë të drejtpërdrejt dhe të tërthortë, duke kërkuar përfitime në të holla nga disa pronarë të universiteteve private.

“Me këtë të pandehurit B.M. dhe F.Zh.E. në vazhdim dhe bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetin zyrtar nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe së bashku me të pandehurin A.M. në vazhdim dhe në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale marrja e ryshfetit nga neni 428 par.2 dhe 3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Me këtë rast, bëhet e ditur se Prokurori i rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marrë aktvendim për ndalim ndaj dy personave të arrestuar.

Arrestohet Armend Muja

Liridona Kozmaqi, zëdhënëse në Prokurorinë Speciale, për KALLXO.com ka dhënë informacione shtesë rreth bastisjeve të sotme në zyrat e Agjencisë së Akreditimit dhe të shtëpisë së drejtoreshës së këtij institucioni, Ferdije Zhushi.
“Janë arrestuar dy persona, një ish-zyrtar i UNDP-së dhe një zyrtar i Agjencionit të Akreditimit”, ka thënë Kozmaqi.

Ajo gjithashtu tha se pritet arrestimi edhe i një zyrtari të Agjencisë së Akreditimit.

Burime të KALLXO.com nga Prokuroria Speciale bëjnë të ditur se njëri nga të arrestuarit është Armend Muja, i cili ka punuar më parë në UNDP.

Ende nuk është bërë e ditur se në bazë të çfarë dyshimesh janë bërë këto arrestimet.

Prokurori në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Suad Kuraja, i kontaktuar nga KALLXO.com, tha se nuk është i autorizuar të flasë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat