Policët serbë të natës dyshohen për dhunë dhe korrupsion

Lajme

Policët serbë të natës dyshohen për dhunë dhe korrupsion

Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 11:58

Oficerët e policisë që punojnë si truproja nëpër klube nate akuzohen se rrahin klientët dhe marrin pjesë në vënien e gjobave ndaj bizneseve.
26 mars të këtij viti, Bosko Sekeroviq, një 23 vjeçar marinar, gjeti disa shokë në kryeqytetin e Serbisë, Beograd dhe u nis me makinë për në qytetin verior të Novi Sadit për një natë qejfi.

Sekeroviq dhe shokët e tij shkuan te rruga Laze Teleckog, zemra e një zone të mbushur me klube nate dhe lokale për të rinjtë që duan të pijnë dhe kërcejnë. Muzika pop tradicionale serbe apo e huaj shpërthen nga çdo derë lokali.

Ndërsa Sekeroviq dhe një shok i tij iu afruan një bari rreth orës 2 të mëngjesit, një njeri i bëshëm i ra fort me bërryl, duke e rrëzuar përtokë. Truprojat e klubeve të ndryshme të natës mbërritën aty dhe filluan të rrahin Sekeroviq dhe shokët e tij.

“Pesëmbëdhjetë prej tyre po na rrihnin ne të tre. Unë humba ndjenjat shumë herë”, tha Sekeroviq, të cilit iu thye hunda, një dhëmb dhe pati një sy të nxirë nga rrahjet.

Shoku dhe kolegu i tij Jovan Joviçiq mbeti gjithashtu i lënduar. Këmbët e tij qenë aq të sakatuara sa ai nuk qe në gjendje të ecte për shumë ditë pas ngjarjes.

“Qe barbari. Njëri të mban ndërsa pesë të tjerë të rrahin,” tha Joviçiq disa muaj më vonë, duke e treguar ngjarjen që iu ngulit fort në mendje. “Njëri nga sulmuesit shkoi në klub dhe u kthye me një shkop gome, nga ato që përdor policia”.

Sekeroviq dhe shokët e tij shpëtuan pasi një vajzë e re që punonte në një lokal i dha atyre çelësin e banjës. Ata mbyllën veten në banjë dhe pritën që të vinte policia.

Por policët nuk qenë në fakt shpëtimtarët e tyre. Së paku një oficer policie që punonte njëkohësisht si roje sigurie gjatë natës qe mes sulmuesve, sipas një dosjeje të policisë të hartuar në bazë të pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë.

Eksperienca e tmerrshme e këtyre të rinjve nxori në pah një problem të gjithëpërhapur në Serbi dhe në vende të tjera të Ballkanit. Policë të rinj shpesh punojnë si roje sigurie nëpër lokale dhe klube nate, në disa raste duke kryer akte dhune apo duke marrë pjesë në skema gjobitjesh për mbrojtje pa u ndëshkuar.

Sipas Ligjit për Policinë të Serbisë të vitit 2005, oficerët e policisë nuk lejohet të angazhohen në asnjë aktivitet “të papërputhshëm” me detyrat e tyre zyrtare. Por ligji nuk specifikon që kjo papërputhshmëri përfshin edhe punën në forcat private të sigurisë.

Kërkesa nga pronarët e lokaleve për roje private sigurie ka qenë e lartë që nga vitet 1990 kur krimi u rrit ndërsa Jugosllavia u rrëzua mes kaosit dhe luftës. Oficerët e policisë qenë të gatshëm të ofronin veten e tyre ndërsa shteti - i varfëruar nga luftërat, sanksionet e Perëndimit dhe keqmenaxhimi ekonomik - nuk qe në gjendje t’i paguante ata mirë.

“Është shumë e pakëndshme që çdokush mund të blejë një polic për 20 apo 30 euro dhe bashkë me të një armë dhe një distinktiv policie”.

Sot, Serbia mbetet e varfër në krahasim me vendet e Bashkimit Europian dhe punë të tilla të dyta mund t’i rrisin ndjeshëm të ardhurat mujore të oficerëve të mesëm të policisë, paga e të cilëve është 400-500 euro në muaj.

Problemi i policëve të orëve të natës është veçanërisht i ndjeshëm në Novi Sad, qyteti i dytë më i madh i Serbisë, ku banorët vendas thonë se klubet e reja në rrugën pedonale Laze Teleckog kanë tërhequr turma më të këqija.

Sipas një oficeri krimesh të nivelit të mesëm në këtë qytet, vetëm dy vjet më parë kishte një apo dy sherre të rënda në vit në këtë rrugë.

“Sot, ka një sherr të tillë çdo muaj dhe policë të rinj të zonës shpesh janë të pëfshirë,” tha ai, duke theksuar se pa dyshim ka shumë më tepër incidente të cilat nuk janë raportuar në polici.

Si shumë burime të tjera policore në këtë histori, oficeri i policisë foli për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative (BIRN) me kushtin e moscitimit të emrit.

Në dyert e klubeve të natës në rrugën Laze Teleckog, policët e natës dhe rojet e tjera të sigurisë nuk dallojnë fare nga njëri-tjetri. Askush prej tyre nuk ka uniformë apo simbole identifikuese.

“Gjysma e rojeve në rrugën Laze Teleckog janë policë - anëtarë të forcave speciale, xhandarmërisë apo njësive të tjera,” tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Krimeve në Policinë e Novi Sadit.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se një nga këta policë, një 28 vjeçar muskuloz, qe i përfshirë në sulmin kundër Bosko Sekeroviq dhe shokëve të tij, sipas policit që po heton ngjarjen.

“Videoja tregon 15 njerëz që i rrahin ata,” tha një oficer i rangut të mesëm. “Polici nuk mori pjesë në përleshje që nga fillimi. Ai u bashkua kur sherri vijoi”.

Pas kësaj, “në vend që të raportonte rastin në polici, ai heshti,” shtoi oficeri i policisë. “Dhe më vonë ne gjetëm videon”.

Polici dhe katër të tjerë janë akuzuar nga policia për përleshje dhe për dëmtim të rëndë trupor ndaj Sekeroviq dhe shokëve të tij, sipas prokurorëve.

Për hatër të drejtësisë, BIRN nuk e jep emrin e policit dhe katër burrave të tjerë apo të dyshuarve të akuzuar nga policia në këtë histori për shkak se prokurorët nuk kanë konfirmuar ende aktakuzat. Në sistemin e drejtësisë së Serbisë, prokurorët vendosin nëse ka prova të mjaftueshme për të ndjekur akuzat e propozuara nga policia dhe e çojnë më pas çështjen në gjykatë.

Gvozden Grgur, avokati për policin dhe katër burrat e tjerë, tha se që të gjithë janë të pafajshëm. Ai tha se polici nuk ka qenë në skenën e sherrit dhe nuk ka qenë duke punuar si roje private e sigurisë. Grgur tha gjithashtu se ai nuk ka parë asnjë provë filmike.

Ndërsa problemi me jetët e dyfishta të policëve është veçanërisht i dukshëm në Novi Sad, ai ekziston edhe përtej kufijve të këtij qyteti.

Në qytetin jugor të Nishit në Serbi, një anëtar i xhandarmërisë, forca policore paraushtarake, i cili po punonte si një roje sigurie në një kafene, sulmoi dhe plagosi tre njerëz pa asnjë arsye më 10 janar të këtij viti, sipas policisë së zonës.

Oficeri u pezullua nga detyra dhe është akuzuar nga policia për sjellje të dhunshme. Ai po përballet me procedurë të brendshme disiplinore, tha policia në një deklaratë.

Polici i akuzuar nuk u gjet për komente. Prokurorët duhet ende të vendosin nëse ai do të dërgohet në gjykatë.

Në Bosnjë, 27 vjeçari Goran Misiq kaloi natën e vitit të ri në spital pasi u rrah në një klub nate të quajtur Tamaris në Banja Luka, kryeqyteti i Republika Srpska.

Instruktori i palestrës Goran Misiq, duke u mjekuar pasi u rrah në një klub nate në Banja Luka.

Misiq, një instruktor palestre, po qëndronte te një palë shkallë kur rojet e sigurisë, përfshirë edhe një anëtar të njësisë së forcave speciale të policisë e sulmoi atë, sipas hetimit policor.

“Mua më sulmuan disa herë gjatë natës dhe më thyen qafën,” rikujton Misic në një kafene të Banja Lukës.

Ministria e Brendshme e Republika Srpska tha se tri anëtarë të tjerë të policisë speciale qenë gjithashtu të pranishëm gjatë sulmit. Ata u pezulluan në pritje të një hetimi të brendshëm por hetuesit nuk qenë në gjendje të provonin se ata po punonin ilegalisht si roje sigurie.

Në një deklaratë, ministria tha se puna në sektorin e sigurisë nga ana e policëve qe “rreptësisht e ndaluar” por “këto lloj aktivitetesh janë të vështira për t’u provuar për shkak se pronarët e lokaleve dhe restoranteve shpesh i mbulojnë njerëzit që po punojnë për ta”.

Policia i ka akuzuar sulmuesit e dyshuar se kanë shkaktuar dëme të rënda trupore ndaj të sulmuarit dhe ia ka kaluar çështjen prokurorisë. BIRN nuk qe në gjendje të kontaktonte policin e akuzuar për komentet dhe akuzat kundër tij.

Roli i shumë oficerëve të policisë në tregun e sigurisë private nënkupton që ata janë gjithashtu të angazhuar në botën e pistë të vendosjes së gjobave për mbrojtje.

Një ish oficer i policisë, i cili ka hetuar çështjen në Serbi, thotë se shpesh edhe komandantët e policisë janë të përfshirë. Ata bëjnë kontaktet fillestare me pronarët e lokaleve si pjesë e detyrave të tyre zyrtare dhe pastaj i bëjnë presion për të punësuar policët e tyre si roje private sigurie,” tha ai.

Nëse pronarët refuzojnë, ata mund të presin bastisje policore ose policët do u kërkojnë të fikin muzikën. Për rrjedhojë, biznesi vuan pasojat.

“Ti nuk mund të kesh një klub nate në Novi Sad nëse nuk lidhesh me policinë,” deklaroi Svetlana Gajinovic, e cila thotë se lokali i saj në qytet qe shënjestër e ngacmimeve të vazhdueshme policore në fillim të këtij viti.

“Ata mund të vinin pothuajse çdo fundjavë dhe të kryenin një bastistje policore pa mandat,” thotë ajo.

E ulur në dhomën e saj të ndenjes, herë pas here duke ndaluar në mes të bisedave për të përmbledhur mendimet e saj dhe për të qetësuar veten, Gajinovic tha se ajo në fund pranoi të lidhet me një oficer sigurie për të marrë mbrojtje.

“Ai thjesht ulej në një cep duke pirë,” thotë ajo. “Nuk qe lloji i rojes së sigurisë që përpiqet që çdo gjë të jetë në rregull dhe që të mos ketë telashe.”

Oficeri i sigurisë qëndroi në lokal vetëm disa herë para se Gajinovic të mbyllte lokalin e saj. Ajo nuk kishte as 30 eurot që duhej t’i paguante atij.

Edhe në rast se oficerët e policisë janë thjesht duke punuar për disa para më shumë, ata përfundojnë mes turmës së njerëzve që zakonisht duhet të jenë armiqtë e tyre.

“Problemi është që policët dhe kriminelët janë në të njëjtën anë për shkak se 90 për qind e rojeve të sigurisë nëpër klube nate kanë të shkuar kriminale,” thotë Nenad Ljubisiq, një oficer policie në Novi Sad i cili është kryetar i shoqatës profesionale që promovon standarde më të larta policore.

Departamenti i Policisë së Novi Sadit refuzoi kërkesën për intervistë apo deklaratë për shtyp në përgjigje të akuzave kundër oficerëve të tyre në këtë artikull.

Oficerët e policisë gjatë natës mund të fitojnë mes 10 dhe 50 euro në ditë, sipas burimeve policore. Përgjatë një muaji, ata mund të fitojnë po aq shumë nga puna si policë privatë sa marrin rrogë si policë, duke krijuar konflikte të dukshme interesi.

Shpesh këta oficerë policie janë të rinj, të ashpër dhe fizikisht të bëshëm që punojnë për njësi speciale të cilat thirren për t’u marrë me situata të rrezikshme dhe të dhunshme.

Për pronarët e bareve dhe lokaleve, punësimi i tyre ofron avantazhe domethënëse. Ata kanë informacione të brendshme mbi hetimet policore dhe mund të ndihmojnë për të shmangur rregullat vendore, të tilla si rregullat e orarit të mbylljes. Ata kanë gjithashtu të drejtë të mbajnë armë me vete në mënyrë të ligjshme edhe nëse janë jashtë orarit të punës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat