Prokuroria dhe Gjykata shkelin ligjin në dëm të viktimës së dhunës

Lajme

Prokuroria dhe Gjykata shkelin ligjin në dëm të viktimës së dhunës

Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 09:54

Gjysma e flokëve që i kishin mbetur në duart e ish-bashkëshortit tashmë i janë rritur. Nuk ka gjurmë të dukshme në fytyrë si pasojë e dhunës fizike deri në alivanosje që kishte pësuar nga ai.
Për gjithë këtë dhunë ajo kishte pritur drejtësinë që të jepte fjalën e saj, duke e heshtur dhunën deri ditën kur posta ia kishte dërguar një zarf nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Brenda tij ishte një “aktgjykim në emër të popullit” që ish-bashkëshortin e saj e kishte shpallur fajtor dhe e kishte “ndëshkuar” me 300 euro gjobë.

Gjyqtarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Suzana Çerkini, ka nxjerrë një aktgjykim më 20 nëntor të këtij viti, duke e sanksionuar të pandehurin A. R. (1981) me 300 euro gjobë bazuar në propozimin e prokurorit Elez Blakaj.

Por aktgjykimi që ka nxjerrë ajo në emër të popullit, bazuar në kërkesën e prokurorit, është i paligjshëm. Dënimi për veprën penale lëndim i lehtë trupor, i sanksionuar me nenin 153, paragrafi 1, pika 4 që lidhet me dhunën në familje parasheh vetëm dënim me burgim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat