Eurodeputetja dënon fyerjet për lojtarët shqiptarë

Lajme

Eurodeputetja dënon fyerjet për lojtarët shqiptarë

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 21:34

Në Bruksel, ajo që u ndodhi shqiptarëve në stadiumin serb, më në fund ka marrë kritika prej eurodeputetëve. Zëri i parë është ai i eurodeputetes Maria Arena.
Gjatë minisesionit plenar në Parlamentin Europian, Arena ka dënuar fyerjet që janë bërë ndaj lojtarëve shqiptarë në ndeshjen Serbi-Shqipëri.
Ajo i ka kërkuar komisionerit Hahn dhe përfaqësues së lartë të BE-së, Mogherini, të punojnë me liderët serbë dhe shqiptarë, që ngjarje të tilla të mos ndodhin më.
“Zonja komisionere, do të doja të ndalesha te një temë, që ka të bëjë me një ndeshje futbolli, që mund të ketë efekte mbi stabilitetin e Ballkanit. Në tetor është zhvilluar një ndeshje futbolli midis Serbisë dhe Shqipërisë. Ajo që ndodhi në tribunë dhe në fushë është e papranueshme. E kam fjalën kryesisht për fyerje të rënda ndaj lojtarëve shqiptarë. Ndoshta Bashkimi Europian nuk mund t’i thotë gjë UEFA-s, por komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Zgjerimit dhe përfaqësuesja e lartë, duhet t’u kujtojnë përgjegjësitë që kanë liderët e Serbisë dhe Shqipërisë, në mënyrë që incidente të tilla të mos ndodhin më”, u shpreh ajo.
Maria Arena ka marrë edhe mbështetjen e shqiptarëve të Belgjikës në zgjedhjet europiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat