A erdhi Ilir Meta të bindë Fatmir Limajn t’i bashkohet koalicionit qeverisës?

Lajme

A erdhi Ilir Meta të bindë Fatmir Limajn t’i bashkohet koalicionit qeverisës?

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 20:07

Kryetari i Parlamentit të Shqpërisë Ilir Meta, të hënën vizitoi qytetin e Gjilanit, me ftesë të kryetarit të kësaj komune Lutfi Haziri. Pas takimit me Hazirin, kryeparlamentari Meta në një konferencë për shtyp ka përshëndetur koalicionin e arritur mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike.

"Është e nevojshme që institucionet që burojnë prej zgjedhjeve të ngrihen sa më shpejtë, në radhë të parë Kuvendi dhe qeveria. Unë besoj se marrëveshja mes dy partive kryesore, LDK dhe PDK, do ta arrijë këtë qëllim në ditët e afërme”, deklaroi Meta.

Top Channel ka mësuar se vizita e kreut të Parlamentit shqiptar mund të lidhet edhe me lehtësimin dhe me përafrimin e raporteve të LDK-së me Nismën për Kosovën, për ndoshta përfshirjen e kësaj të fundit në koalicionin LDK-PDK.

Burime nga partia e Limajt nuk e kanë mohuar këtë fakt, ndonëse të shtunën, përmes një komunikate Nisma deklaroi se do të qëndronte në opozitë.

I pritur nga shumë qytetarë dhe Këshilli Komunal i Gjilanit, Ilir Meta u shpall qytetar nderi i këtij qyteti, për kontributin e dhënë për qytetarët e Kosovës.

"Ky vlerësim vjen për kontributin që ai ka dhënë për shqiptarët jashtë kufijve, për kohën gjatë luftës dhe atë të pasluftës në Kosovë, në pozicionin e zv.kryeministrit. Edhe si ministër të Jashtëm e kam parë si jashtëzakonisht të mirë për kontributin për pavarësinë e Kosovës”, deklaroi Haziri.

Gjatë ditës Meta zhvilloi edhe një takim me përfaqësues të “Vatra”, lëvizje e shqiptarëve të shpërngulur nga Lugina e Preshevës, ku edhe rikonfirmoi angazhimin e shtetit shqiptar për të kërkuar respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve të luginës, duke punuar me përfaqësues të Preshevës, qeverinë serbe dhe organizatat ndërkombëtare.

Në 102-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërsisë, Ilir Meta çmoi lart kontributin e heronjve të Anamoravës për krijimin e shtetit shqiptar. Nga Gjilani, Meta tha se kjo është vetëm vizita e parë, duke paralajmëruar vizita të tjera për bashkëpunime konkrete në arsim, kulturë, ekonomi, tregëti e fusha të tjera. /TCH

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat