​Lunaçek: I pakuptimtë neutraliteti i vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën

Lajme

​Lunaçek: I pakuptimtë neutraliteti i vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 19:13

Akademia Diplomatike e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Akademinë Diplomatike të Vjenës hapën sot në Vjenë konferencën dyditore për diplomacinë multilaterale, të titulluar “Mundësitë dhe sfidat për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, bën të ditur përmes një njoftimi Ministria e Jashtme e Kosovës.
Kjo konferencë u hap nga drejtori i Akademisë Diplomatike të Vjenës, ambasador Hans Winkler dhe drejtori i Akademisë Diplomatike të Kosovës, Skënder Durmishi. Konferencës iu drejtua me një mesazh nëpërmjet video-linkut zëvendës-presidentja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek.

Drejtori i Akademisë Diplomatike të Kosovës, Skënder Durmishi tha: “Integrimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe diplomacia multilaterale kanë një rëndësi dhe prioritet të lartë në diplomacinë e Kosovës. Me këtë qëllim, në bashkëpunim me Akademinë Diplomatike të Vjenës, kemi organizuar këtë konferencë për të ofruar një forum me temë dhe pjesëmarrës e panelistë shumë të rëndësishëm për të debatuar për këtë çështje.”

Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, ambasador Albert Prenkaj, prezantoi rezultatet që Kosova i ka arritur deri më tani, sidomos në aspektin e integrimeve në organizata rajonale e ndërkombëtare.

Ndërkaq, ish-zëvendësi i të dërguarit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për procesin e statusit të Kosovës, Ambasador Albert Rohan, tha: “Ka qenë një konferencë shumë interesante e organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës dhe e Prishtinës. Një bashkëpunim i mirë ndërmjet dy shteteve tona. Kemi diskutuar çështje politike dhe ligjore, dhe mendoj se mesazhi kryesor që mund të them është se Kosova duhet që në mënyrë më intensive të marrë pjesë në procesin e integrimit evropian.”
Zëvendës-presidentja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, ndër të tjera tha se aktivitetet si kjo konferencë duhet t’i inkurajojnë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë atë sa më parë, duke shtuar se neutraliteti ndaj statusit është diçka që nuk duhet të ekzistojë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Pjesëmarrës në këtë konferencë janë diplomatë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Austrisë, Këshilli i Evropës, Komisioni i Venedikut, përfaqësues të botës akademike, gazetarë e diplomatë të akredituar në Vjenë. Konferenca vazhdon edhe nesër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat