Svarça: Pozita e kryeministrit, një e drejtë historike e LDK-së

Lajme

Svarça: Pozita e kryeministrit, një e drejtë historike e LDK-së

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 18:48

Kryetari i Ferizajt, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muharrem Svarça, në emisionin “Info Magazine” të Klan Kosovës, ka theksuar se nuk ka asnjë arsye që zyrtarët e LDK-së të heshtin pas marrëveshjes së arritur me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Sipas tij, LDK-ja ka kaluar një proces transparent, duke pasur një shpresë se të do të shpenzohen të gjitha mundësitë që të krijohet një qeveri, nga ana e partive të Bllokut VLAN, gjë që nuk ndodhi.

“LDK, edhe atëherë kur i ka fituar zgjedhjet me mbi 50 për qind, udhëheqjen e qeverive ua ka lënë të tjerëve. Ka qenë momenti i fundit që të realizohet një e drejtë historike, që LDK ta drejtojë qeverinë. Shpresa e fundit ka qenë LDK-ja, që t’i jap fund kësaj qeverisje”, ka thënë Svarça.

Ai ka theksuar se “kemi thënë që nuk do të ketë ‘Thaçi 3’, kemi thënë që LDK-ja do ta udhëheq qeverinë, pastaj kemi thënë që LDK-ja do ta ndalojë keq qeverisjen. Dhe këto janë duke ndodhur”.

“Parimet për shtetin janë shumë më të larta, sesa parimet fiktive. Unë mendoj që ne nuk mund ta ndryshojmë gjendjen, nëse nuk e marrim përgjegjësinë për të qeverisur. Më i vogël do të ishte kontributi jonë, nëse do të ishin në opozitë sesa duke e marrë pushtetin”, ka theksuar Svarça.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat