Sfarqa u jep gajret qytetarëve: Më mirë jetë modeste në vendin tënd se sa refugjat në perëndim

Lajme

Sfarqa u jep gajret qytetarëve: Më mirë jetë modeste në vendin tënd se sa refugjat në perëndim

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 15:49

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa ka thënë se statusi i refugjatit nuk është zgjidhje e mirë, kjo situatë paraqet brengosje serioze dhe me të duhet të merret e gjithë shoqëria.
Përmes një komunikate për media, si reagim pasi që numër i madh i ferizajasve ditëve të fundit ia kanë mësyrë perëndimit për një jetë më të mirë, Sfarqa u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore dhe agjencive të sigurisë që të merren më seriozisht me këtë çështje, për të penguar mashtrimet dhe manipulimet me qytetarët e dëshpëruar.
“Këto ditë kemi qenë dëshmitarë të informacioneve shqetësuese për rritjen e numrit të ferizajasve që janë larguar nga komuna jonë me qëllim mërgimi në vende të tjera. Megjithëse ende nuk dihen saktë përmasat e kësaj dukurie, nxitësit e saj, as mënyrat se si arrijnë qytetarët e Ferizajt që të kalojnë në vendet evropiane, braktisja e vendlindjes pa një perspektivë të qartë për të ardhmen, paraqet brengosje serioze, me të cilën duhet të merret e gjithë shoqëria”, thuhet në reagimin e kryetarit Sfarqa.
Më tutje në reagimin e tij, i pari i Ferizajt, konsideron se edhe përkundër faktit për kushtet e vështira ekonomike, në të cilat jeton një pjesë e konsiderueshme e popullatës së Ferizajt, nuk e konsideron zgjidhje më të mirë statusin e refugjatit, të cilin e synojnë shumica e atyre që po vendosin të dalin jashtë vendit.
“Dëshiroj të shpreh keqardhje për informacionet se një pjesë e mirë e atyre që po e synojnë mërgimin, janë pre e mashtrimeve, e premtimeve të kushtueshme dhe e manipulimeve të matrapazëve, që i joshin sidomos të rinjtë për ta braktisur vendin e tyre, drejt një të ardhmeje plot vuajtje e pasiguri. Dua të solidarizohem me shqetësimet e atyre familjeve, pjesëtarët e të cilave tashmë janë larguar nga Kosova dhe t’u bëj thirrje të rinjve që të tregojnë më shumë kurajo për ta ndërtuar jetesën në vendlindje. Besoj fuqimisht se më shumë ia vlen një jetesë modeste në vendin tënd, se sa ajo e refugjatit në vend të huaj”, thuhet ndër të tjera në reagimin e kryetarit Muharrem Sfarqa.
Ndryshe, gjatë ditëve të fundit një numër i madh i qytetarëve të Ferizajt e kanë zgjedhur rrugën e migrimit si një shpresë për një jetë më të mirë në vendet e perëndimit.
Mësohet se shumica prej tyre kanë hyrë në obligime për t’i siguruar mjetet për mbulimin e shpenzimeve, ndërsa ka pasur zëra se disa kanë shitur edhe prona të paluajtshme si tokë e shtëpi, pa përjashtuar edhe kreditë nëpër bankat e këtushme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat