Sadri Ferati: PDK-LDK, koalicion i zorit

Lajme

Sadri Ferati: PDK-LDK, koalicion i zorit

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 14:46

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sadri Ferati, në emisionin “Info- Box” të Radio Dukagjinit, ka thënë se në qeverinë e re, përgjegjësitë duhet të ndahen në raportin 50 me 50 për qind, në mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe LDK-së.
Ai ka thënë se ajo e cila është e padiskutueshme, është se kryeministri i ardhshëm i Kosovës do të jetë nga radhët e LDK-së, duke shtuar se “vendimi i Gjykatës Kushtetuese (me të cilin e drejta për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, i takonte PDK-së) ka ndikuar që të ripozicionohet partia e Mustafës brenda Bllokut VLAN”.

Ndërsa, i pyetur se a po diskutohet brenda partisë që kryeministër të jetë dikush tjetër nga LDK-ja, përveç Isa Mustafës, Ferati ka theksuar se “nuk ka dëgjuar për propozime tjera, dhe se të mërkurën gjithçka do të dihet”.

“Mendoj se Mustafa është favorit kryesor për këtë post”, ka shtuar Ferati.

“Ne, kandidatin të cilin e propozojmë për kryeministër, nuk e qesim për t’i pëlqyer PDK-së. Kandidati për kryeministër është për shije të partisë tonë”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse partia e Mustafës nuk e merr pozitën e kryeministrit, atëherë ata do të shkojnë në opozitë.

Ndërsa, sa i përket vendimit për koalicion me PDK-në, Ferati ka thënë se “ky është koalicion i zorit”.

Ai ka theksuar se është i vetëdijshëm se elektorati i LDK-së nuk ka reaguar aq mirë, kur iu është kumtuar lajmi se partia të cilën ata e kanë votuar do të hyj në koalicion me PDK-në.

“Nuk e përjashtojmë mundësinë që të kemi edhe pasoja, në raportin e votuesit tonë, nga ky veprim. Do të jetë detyrë që ta bëjmë një sqarim para opinionit, rreth kësaj ndërmarrje, sepse kemi një reagim të hatashëm të anëtarësisë”, ka deklaruar ndër tjerash Ferati. /Radio Dukagjini/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat