Mungesa e teknologjisë në UP, problem për studentët

Lajme

Mungesa e teknologjisë në UP, problem për studentët

Më: 23 nëntor 2014 Në ora: 22:14

Studentët e Universitetit të Prishtinës tash e sa kohë po ballafaqohen me mungesë të pajisjeve të domosdoshme kompjuterike për njësitë akademike.

Për realizimin e punimeve dhe detyrave ata gjejnë alternativa siç janë internet-kafetë. Mungesa e rrjetit të internetit shpeshherë pengon edhe procesin e ligjërimit, ku profesorët nuk mund të shpjegojnë nëpërmjet projektorëve.

Mungesa e teknologjisë nëpër njësitë akademike, po u paraqet problem studentëve në kryerjen e obligimeve studentore të kërkimeve për literaturë apo përfundimit të detyrave që marrin nga profesorët e tyre. Studentët, për realizimin e punimeve dhe detyrave gjejnë alternativa siç janë internet kafetë, për shfrytëzimin e kompjuterëve.

“Ka mungesë të kompjuterëve dhe kjo po na krijon shumë vështirësi, sepse po duhet ose me pas llaptopin personal ose me dal nëpër internet kafe, për më t’i kryer detyrat dhe po kemi shumë shpenzime”, ka thënë një student.

“Profesorët po na japin detyra, por ne po duhet të shkojmë në internet kafe ose në shtëpi. Unë jetoj në Komoran dhe nuk mundem të shkoj çdo ditë atje. Si pasojë ka ndodhur që kemi shkuar pa ato detyra që kanë pas të bëjnë punë me kompjuter”, ka treguar një student tjetër.

Mungesa e këndeve gjegjëse të teknologjisë informative, siç janë kompjuterët nëpër fakultete dhe pajisjet e nevojshme, ndikon edhe në cilësinë e studimeve. Këtë e pranojnë edhe drejtues të fakulteteve të Universitetit Publik "Hasan Prishtina". Ata thonë se mungesa këtyre e pajisjeve e vështirëson edhe procesin e ligjërimit, ku profesorët nuk mund të shpjegojnë nëpërmjet projektorëve.

“Teknologjia është e domosdoshme jo vetëm në fakultetin tonë por në të gjitha njësitë, veçanërisht për Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Ne kemi pajisje, por jo të mjaftueshme për numrin që kemi të studentëve në studime. Kishte qenë mirë të kemi kënde për secilin departament, ku studentët të kenë qasje të pakufishme në teknologji të informacionit, mirëpo kjo kërkon mjete shtesë dhe personel shtesë për ta mirëmbajtur rrjetin dhe për të ofruar shërbime cilësore”, ka thënë Tahir Arbneshi, dekan i Fakultetit të Shkencave Matematiko – Natyrore.

Ndërkaq, lidhur me këtë çështje, Linditë Sejdiu-Rugova, dekan i Fakultetit të Filologjisë, është shprehur: “Ne si fakultet jemi të interesuar të konkurrojmë në MASHT, është shpallur një konkurs për konkurrim të njësive akademike për furnizim me mjete të tilla të teknologjisë dhe informacionit të cilat do t’u hynin në përdorim studentëve. Si fakultet jemi të interesuar që të konkurrojmë për një laborator të fonetikës dhe do të shohim se si do ia dalim”.

Njëri nga kriteret kryesore të akreditimit dhe riakreditimit të programeve, departamenteve dhe drejtimeve në shkollimin e lartë, është edhe ofrimi i shërbimeve dhe pajisjeve teknologjike nëpër secilën njësi akademike.

“Fatkeqësisht jo të gjitha institucionet kanë siguruar një internet të mirë, i cili duhet të jetë pjesë e mësimit dhe metodat të cilat sot duhet të zbatohen duhet të jenë metoda të cilat përdorin internetin në klasë, për shkak se ajo kërkohet të bëhet qysh prej niveleve më të ulëta e mos të flasim për nivelin universitar, që është e domosdoshme”, ka thënë Ferdije Zhushi-Etemi nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës.

Sociologët e shumtë, gjeneratat e sotme të të rinjve i cilësojnë si gjenerata të internetit. Por, edhe pse kanë marrë një emër të tillë, nëpër njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës, studentët theksojnë se edhe nëse u janë ofruar pajisje kompjuterike për shfrytëzim, e që janë numër i vogël, shumica e atyre pajisjeve janë jashtë funksionit dhe të papërdorshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat