Fatmir Sejdiu kujton Xhemail Mustafën: Askush nuk doli ende para drejtësisë

Lajme

Fatmir Sejdiu kujton Xhemail Mustafën: Askush nuk doli ende para drejtësisë

Më: 23 nëntor 2014 Në ora: 21:07

Ish presidenti i Kosovës dhe kryetari i nderit i LDK-së, Fatmir Sejdiu përmes një postimi në Facebook e ka kujtuar Xhemail Mustafën, në 14 vjetorin e vrasjes së tij.

Ja postimi i plotë i Sejdiut në Facebook:

Emblemë e urtisë dhe guximit
Sot 14 vjet më parë, nga një dorë kriminele e tinzare u vra një nga figurat më të rëndësishme të rezistencës dhe lëvizjes politike për pavarësinë e Kosovës - shkrimtari e publicisti, luftëtari për të drejtat njerëzore dhe lirinë nacionale - atdhetari Xhemail Mustafa.
Xhemail Mustafa, me gjithë formatin e tij paraqet një figurë ëmblematike dhe të ndërtimit të veçantë njerëzor dhe intelektual, I dalluar me urtësinë prej njeriu jashtëzakonisht menjemprehtë, me guxim qytetar të palëkundur për të shtyrë proceset e mëdha në rrugën e rëndë të lirisë dhe me vizion largëpamës politik.
Xhemaili është emër i dalluar i bërthamës së parë të atyre që shpalosen idenë e parë të formimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe për të mbetur besnik i palëkundur i Presidentit Rugova në gjithë kohët e jetës së tij.
Njohja
Ishim nxënës gjimnazi. Viti shkollor 1969/70. Unë në klasën e katërt dhe ai në të parën. Ishin vite të zhvillimeve interesante. Për herë të parë Gjimnazi i qytetit tonë (e vetmja shkollë e mesme) hapi katër klasë në gjuhën shqipe. Sipas një rendi, njeriu i mban më shumë në mendje gjeneratat para vetes. Kjo gjeneratë ishte e veçantë. Një numër I madh I tyre të shkëlqyeshëm, vërtetë të shkëlqyeshëm. Kurrë nuk mund të harroj vullnetin e tyre për të shprehur personin e tyre. Për moshen e pazakonshme. Pa përjashtim djem të mirë. Dua të veçoj Xhemailin dhe Enver Malokun, dy figura të rëndësishme në lëvizjen tonë . I pata miq deri në ditën e fundit. Asnjëherë nuk rreshtën së punuari. Ditë e përditë pesha e tyre shtohej. Ishin dhe mbeten burrat e dheut.
Dhjetor “89
Zhvillimet në Kosovë ishin dramatike. Gjendja bëhej e padurueshme. Demonstratat antiregjim në qytetet e Kosovës ishin të përditshme.
Në iniciativën për formimin e një fronti politik të organizuar Xhemaili kishte rolin e vet.
Pak ditë para formimin më kishte dërguar fjalë që të jemi bashkë në Kuvendin themelues të LDK-së, të shtunen e 23 dhjetorit. Mendoj se ka qenë dhe mbetet ditë me vlerë historike për Kosovën. Njëmbëdhjetë vjet luftë e tij për liri. Në mënyren e tij: gjithmonë i përkushtuar, gjithmonë i urtë, gjithmonë i palodhshëm, gjithmonë i guximshëm, gjithmonë besnik.
Njëmbëdhjetë vjet më vonë
U vra pabesisht në Prishtinë, në ditët kur Kosova po bënte hapa të rëndësishëm në ndërtimin e institucioneve dhe të demokracisë. U vra siç u vra edhe Enver Maloku dy vite më parë.
Askush nuk doli ende para drejtësisë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat