Trembëdhjetë muaj në grevë

Lajme

Trembëdhjetë muaj në grevë

Më: 23 nëntor 2014 Në ora: 08:58

Ditët e netët ende i kalojnë nën tendën që ngritën para 13 muajve. Gjendja e tyre shëndetësore po u keqësohet çdo ditë e më shumë. Këta janë ish-punëtorët e “IGK Ballkani” të Suharekës.
Megjithatë, kushtet e këqija, mosha e shtyrë e tyre, nuk po i ndalë, duke kërkuar të drejtat e tyre. Zotohen se nuk do të ndalen së kërkuari kthimin e mjeteve të tyre.

Grevisti Avdyl Bungu i ka thënë Kosovapressit se ndonëse gjendja e tyre shëndetësore nuk është për t’u dëshiruar, ata nuk do të ndalën së kërkuari të drejtën që iu takon deri në fund.

“Qe 13 muaj jemi në grevë, jemi duke i lyp të drejtat tona dhe s’po na përgjigjet askush e kemi 5300, gjykata e ka vulosur , Gjykata Supreme, por tash nuk po na japin paret qe 13 muaj 1400 punëtorë jemi në grevë. Kushtet këtu janë të dobëta, po i shihni edhe vet. Qe 13 muaj nuk vjen askush as me na vizituar, përpara në fillim, atëherë janë kanë tash më kërkush hiq... Na kanë hjek prej pune në 90-ën, tash ato kemi me i marrë për 10 vjet që na takojnë parët tona, ato diku janë 6 mijë euro, qato jem tuj i lyp ne”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se gjendja e grevistëve është e rëndë, ngase që të gjithë janë në moshë të shtyrë, duke shtuar se tash që ka nisur koha të marrë më ftohtë gjendja e tyre është edhe më e rëndë, mirëpo nuk kanë plan të ndalen deri sa të realizohet kërkesa e tyre.

Ndërsa, Shefket Bytyqi, edhe ky ish- punëtor i Ballkanit, ka treguar se gjendja e tyre ekonomike është e rëndë dhe se po kërkojnë të drejtën që iu takon atyre.

“As kushtet sociale nuk i plotësojmë. Ankesat kryesore janë për kryeministrin Hashim Thaçin që ka gisht në privatizimin e Ballkanit, ai ka shkel drejtat e njeriut, i udhëheq krejt disa avantazh tonin do me thënë edhe këtu kushtet si ka plotësuar të privatizimit, ka ndryshime në gjendje ekonomike punëtorët kanë vullnet të madh, por neglizhencë të madhe ka prej censurës së kryeministrit... Kushtet ekonomike të dobëta”, ka thënë ai.

Ai ka pasur ankesa edhe ndaj kryetarit aktual të Komunës së Suharekës, ngase sipas tij nuk po merret aspak me ta dhe se nuk po shkon as t’i vizitojë.

Bytyqi ka shtuar se kanë qenë të interesuar që të drejtojnë një ankesë drejt Gjykatës së Strasburgut, mirëpo nuk po ka kush të merret me këtë çështje, ngase ai vlerëson se të gjithë po i frikohen dikujt.

“Shpresat tona, të klasës punëtore, ne i besojmë alternativës gjermane që vjen këtu me kontrolluar se këta çizme, batllavizma, çka janë këta që e kanë dërgu këtu e kanë gjunjëzu ekonominë, ekonominë tonë, direkt janë të lidhur sipas drejtimeve të Hashim Thaçi me Serbi atje”, ka thënë ai.

Ndërsa, Nazif Kabashi, 74 vjeçar, njëjtë i mllefosur për mos realizimin e kërkesave të tyre, ka thënë se kjo që po iu bëhet këtyre është shumë e padrejtë dhe se ai është i lodhur që të rrijë nëpër tenda, duke kërkuar diçka që i takon dhe është e tij.

Ndërkaq, Xheladin Lumi, grevisti tjetër, tha se kushtet e tyre financiare janë shumë të këqija por janë është duke mbajtur shpresa se ndoshta do t’ua japin mjetet.

Kosovapressi i ka dërguar pyetje AKP-së, në lidhje me këtë, mirëpo këta të fundit, nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërguara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat