Koalicioni LDK - PDK, befason Naser Rugova

Lajme

Koalicioni LDK - PDK, befason Naser Rugova

Më: 22 nëntor 2014 Në ora: 20:15

Anëtari i LDK-së Naser Rugova, ishte njëri nga zërat më kritik ndaj Isa Mustafës pas zgjedhjeve dhe rezultateve jo të pritshme nga LDK, por sot ai në një postim në profilin e tij në Facebook ka befasuar duke arsyetuar koalicionin me PDK për shkak se sipas tij është hera e parë që LDk merr udhëheqjen e qeverisë. Ai u ka kujtuar anëtarësisë së LDK-së se nuk duhet harruar ajo qka ndodhi në zgjedhjet komunale në Prishtinë kur në një far forme LDK-së i futen thikë pas shpine partitë tjera përfshirë edhe ato të Bllokut.

Ja postimi

Të nderuar miq,
Në marrëveshjen për qeverisje në mes të LDK-së dhe PDK-së ka shumë gjëra që nuk më pëlqejnë. Por kjo nuk e anashkalon faktin e madh se për herë të parë që nga viti 2001, LDK merr përsipër udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës.
Nuk janë të paktë ata që kritikojnë LDK-në dhe akuzojnë për "tradhti" e të ngjashme, por po të njëjtit nuk duhet të harrojnë se në çdo rast të mundshëm kanë bashkëpunuar me të tjerë kundër LDK-së. Shembujt e garës për Prishtinën dhe qytete të tjera janë shumë të freskëta për t'u injoruar. Po të njëjtit po ashtu nuk duhet të harrojnë se LDK nuk mund të jetë parti që pranon të nënshtrohet pas apetiteve të mëdha të partive të vogla.
LDK e meriton që të sprovohet në udhëheqjen e vendit, pikërisht për atë se, në emër të stabilitetit, vazhdimisht ka bërë sakrifica në dëm të vetes.
Koalicioni me PDK-në ngrit shumë pikëpyetje dhe për këtë, gjatë procesit zgjedhor që na pret brenda LDK-së, duhet të reflektojë anëtarësia jonë dhe vetëm ajo. Liderët e partive të tjera nuk kanë asnjë të drejtë që të deklarohen për anëtarësinë e LDK-së. Formimi i qeverisë në asnjë mënyrë nuk i amniston të gjithë ata që janë përgjegjës për rezultatet jo të kënaqshme me 8 Qershor.
Ne, si LDK, jemi shumë të vetëdijshëm për sfidën që kemi, por mendoj se LDK do të dëshmojë se di dhe mundet të udhëheqë vendin. Po ashtu jemi shumë të vetëdijshëm se partneri ynë është dikush që shquhet për mungesë korrektësie, por kjo vetëm sa na nxit të jemi më vigjilentë dhe të vëmendshëm.
Vazhdimisht kam kërkuar që LDK të marrë jo vetëm postin e Kryeministrit, por edhe përgjegjësinë për udhëheqjen e vendit. Kjo shumicë parlamentare , ku sigurohet një shumicë dërmuese shqiptare në Kuvendin e Kosovës, që nuk mund të shantazhohet nga numrat e listës SRSPKA, ka shumë sfida përpara vetes dhe shumë përgjegjësi ndaj të ardhmes së vendit tonë. Kemi përgjegjësi të ruajmë raportet me miqtë tanë dhe të mbrojmë autoritetin dhe kredibilitetin e shtetit.
Sot është rasti ynë për të dëshmuar veten.
Para se të merremi me shpërthime emocionale duhet të mendojmë për atë se të tjerët janë në gjah për anëtarësinë tonë, por, në të njëjtën kohë, nuk i pranojnë vlerat tona.
LDK është lokomotivë. Kjo fjali gjithnjë ishte sllogani im dhe tani LDK ka rastin të dëshmojë veten. Kemi mësuar shumë nga e kaluara dhe nëse edhe kësaj here nuk dimë të mbrojmë vlerat tona, të realizojmë premtimet që i kemi dhënë elektoratit dhe të çojmë përpara vendin tonë, atëherë nuk besoj se do të kemi rast tjetër.
Po e përsëris edhe njëherë. Kam shumë dilema për këtë koalicion, por në të njëjtën kohë kam shumë besim se, të gjithë ne në LDK, më në fund jemi mbushur mend dhe do të dimë të mbrojmë si parimet tona ashtu edhe interesin e vendit.
sinqerisht
Dr. Naser Rugova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat