PDK-LDK nxjerrin jashtë loje Listën Serbe

Lajme

PDK-LDK nxjerrin jashtë loje Listën Serbe

Më: 22 nëntor 2014 Në ora: 19:45

Krijimi i koalicionit mes PDK-së dhe LDK-së për të qeverisur me Kosovën, largon nga ndikimi i mundshëm i Beogradit në politikën e brendshme në Kosovë, që do të mund ta ushtronte nëpërmjet Listës Serbe.

Koalicioni PDK-LDK do të ketë 66 ulëse, pa përfaqësuesit e komuniteteve në Kuvendin e Kosovës, që pritet të konstituohet këto ditë.

Kjo do të thotë se ky koalicion do të ketë më shumë se 50 për qind të votave, sa nevojiten për të kaluar shumicën e mocioneve dhe ligjeve në Kuvend dhe nuk do të varet nga votat e Listës Serbe, subjekt i formuar drejtpërdrejtë nga struktura politike e cila sot drejton Serbinë, transmeton lajmi.net.

Që nga themelimi, kjo parti është parë me dyshim nga shqiptarët në Kosovë. Lista Serbe është parë nga Prishtina si përpjekje e Beogradit zyrtar që të ndikojë, ndoshta edhe të pengojë apo vonojë, proceset politike në Kosovë.

Koalicioni PDK-LDK nuk do të varet më nga këto vota, e kjo jo vetëm që i krijon lehtësi këtij koalicioni që të shtyjë përpara agjendën e vet, por edhe e zvogëlon deri në skajshmëri mundësinë që Beogradi të ndikojë në politikën në Kosovë.

Tashmë do të ketë një komoditet në vota për vendime të ndryshme që pritet të merren qoftë për Trepçën, projekte infrastrukturore afër manastireve, apo edhe projekteve që lidhen me komunat ku ka shumicë serbe.

Çdo koalicion tjetër, përfshirë ish-Bllokun, nuk e ka pasur të garantuar stabilitetin dhe fuqinë politike që do të ketë koalicioni i nënshkruar në mes të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, dhe kjo do të duhej të reflektohej veçanërisht në marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë dhe në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat