Prokuroria sqaron takimet me Ambasadoren, deklaratat e Kurtit i quan ndërhyrje në drejtësi

Lajme

Prokuroria sqaron takimet me Ambasadoren, deklaratat e Kurtit i quan ndërhyrje në drejtësi

Më: 22 nëntor 2014 Në ora: 15:15

Prokuroria e shtetit të Kosovës ka mohuar akuzat e Albin Kurtit se pas takimit në mes të Kryeprokurorit Hoxha dhe ambasadores amerikane, Jacobosn, janë ‘ngri’ dosjet që Vetëvendosje i ka dërguar për keqqeverisjen e LDK-së, në Prishtinë. Prokuroria deklaratat e tilla i konsideron si ndërhyrje të drejtpërdrejte në punën dhe pavarësinë e sistemit prokurorial të Kosovës
Prokuroria e shtetit të Kosovës ka mohuar deklaratat e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje i cili ka thënë se u. d i Kryeprokurorit të shtetit Sylë Hoxha ka ‘ngri’ 70 lëndë që Vetëvendosje i ka dërguar për ish- zyrtarë të LDK-së, pas takimit të Hoxhës më ambasadoren amerikane Jacobosn.

Zyrtarë të Prokurorisë së Kosovës kanë thënë për lajmi.net se në takimin mes Kryeprokurorit Hoxha dhe ambasadores amerikane Jacobson është biseduar për punën e Prokurorisë dhe bashkëpunimin me ambasadën amerikane.

Astrit Kolaj, Menaxheri i Zyrës për Komunikim në Prokurorin e Shtetit ka thënë për lajmi.net se Prokurorit të Shtetit i ka ardhur keq për këto deklarat që vinë nga liderë partiakë, dhe i konsideron ndërhyrje në pavarësinë e prokurorisë.

“Prokurori i Shtetit, shpreh keqardhje për deklaratat qe vijën nga liderë të ndryshëm të partive politike. Deklaratat e tilla konsiderohen ndërhyrje e drejtpërdrejte në punën dhe pavarësinë e sistemit prokurorial të Kosovës”.

“Gjatë takimit të fundit me ambasadoren amerikane, u.d. i Kryeprokurorit, Sylë Hoxha ka biseduar për punën e sistemit prokurorial, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, terrorizmit dhe krimit në përgjithësi dhe në të njëjtën kohë, ka kërkuar ndihmën amerikane ashtu që lufta kundër këtyre dukurive të jetë sa më efikase”.

“Në anën tjetër, ambasadorja Jaobson ka vlerësuar shumë bashkëpunimin me sistemin prokurorial, në veçanti, por edhe me tërë sistemin e drejtësisë në Kosovë, si dhe ka premtuar vazhdimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes për sistemin prokurorial edhe në të ardhmen, me theks te veçantë në luftimin e veprave penale të korrupsionit”. ka thënë Kolaj për lajmi.net.

Ai ka thënë se prokuroria mbetet e përkushtuar në trajtimin e të gjitha lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsionin.

“Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar në trajtimin e të gjitha lëndëve të korrupsionit në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Lidhur me këtë, Prokurori i Shtetit të gjitha aktakuzat e korrupsionit ka filluar t’i publikojë në ueb-faqen e këtij institucioni”, ka thënë Kolaj.

Ditë më parë lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, pas marrëveshjes për bashkëqeverisje mes PDK-së dhe LDK-së, ka thënë se ky koalicion është bërë pasi ambasadorja Tracey Ann Jacobson i ka premtuar Mustafës që t’ia “ngrijë" 70 dosjet për keqqeverisje në Komunën e Prishtinës.

“Vetëm dy ditë pasi që ambasadorja ia përmendi Mustafës ato 70 lëndë, ajo shkoi në vizitë te u.d Prokurori i Kosovës, Sylë Hoxha. Porosia pra ishte e qartë”, ishte shprehur Kurti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat