Kosova do të ketë opozitë të pafuqishme

Lajme

Kosova do të ketë opozitë të pafuqishme

Më: 22 nëntor 2014 Në ora: 11:27

Monitoruesi i punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Driton Selmanaj, si dhe analisti politik Artan Muhaxhiri, kanë vlerësuar se nëse PDK-ja dhe LDK-ja arrijnë ta finalizojnë koalicionin qeverisës, atëherë opozita do të jetë e pafuqishme karshi këtij koalicioni të madh. Monitoruesi i punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Driton Selmanaj, ka thënë se në qoftë se Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, do të mbesin në opozitë, do ta kenë jashtëzakonisht vështirë t’i bëjnë ballë koalicionit të madh qeverisës PDK - LDK.
Selmanaj ka thënë për “Epokën e re” se çdo vendim i qeverisë do të kalojë pa asnjë problem në Kuvend, meqë koalicioni qeverisës e ka shumicën dërrmuese. “Edhe nëse ka pretendime nga ana e këtij blloku opozitar për tA kryer obligimin e tij, pra kontrollin mbi qeverinë do ta ketë jashtëzakonisht vështirë, sepse numrat flasin. Tani do të kemi një qeveri që ka numra jashtëzakonisht të mjaftueshëm në Kuvend dhe si rezultat i kësaj çdo vendim i qeverisë do të kalojë pa asnjë problem në Kuvendin e Kosovës. Prandaj, nëse përfundimisht Vetëvendosja, AAK-ja dhe Nisma ngelin në opozitë, do ta kenë jashtëzakonisht vështirë të ndikojnë ose tA ndryshojnë një vendim apo një ligj që sjell qeveria. Por, ata mund të bëjnë opozitë duke kërkuar interpelanca parlamentare dhe pyetje parlamentare, mirëpo fuqia e tyre për të ndryshuar një çështje të caktuar në Kosovë nuk mund të realizohet”, ka vlerësuar Selmanaj, duke shtuar se ende nuk dihet përfundimisht se kush do të jetë në pushtet e kush në opozitë. “Nuk është definitive nëse vërtet këto parti politike do të mbesin në opozitë sepse kemi një marrëveshje parimore në mes të dy subjekteve politike më të mëdha në vend, por ende nuk e dimë se kush do të jetë pjesë tjetër e këtij koalicioni, pasi ekziston mundësia që edhe ndonjëra prej këtyre subjekteve t’i bashkohet koalicionit qeverisës. Megjithatë, mendoj se ky koalicion i ka numrat e nevojshëm në Kuvend, edhe nëse nuk i bashkohet ndonjë parti tjetër”, ka theksuar Selmanaj.
Ai ka thënë se një koalicion i madh PDK - LDK do të prodhojë një opozitë të pafuqishme, që nuk i kontribuon demokracisë në vend. “Prandaj, kjo e vështirëson punën e të bërit opozitë në Kosovë. Shembujt e tillë nuk janë të mirë për demokracinë, pra edhe për një kohë çështja e demokracisë në Kosovë do të jetë në rend të dytë. Ajo që do të jetë në rend të parë është zbatimi i disa agjendave të cilat janë të rëndësishme për Kosovën, por që janë të lidhura shumë për faktorin ndërkombëtar. Prandaj, duket SE nuk do të ketë vend për zhvillime, e mos të flasim për një demokraci apo rol të Kuvendit të Kosovës në procesin e mbikëqyrjes së qeverisë së re”, ka deklaruar Selmanaj.
Edhe analisti politik Artan Muhaxhiri ka vlerësuar se opozita gjatë këtij mandati do ta ketë të vështirë të luajë rolin e saj karshi koalicionit të madh qeverisës PDK - LDK. “Pra, nëse qeverinë e bëjnë Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe pakicat minoritare, atëherë opozita do ta ketë të vështirë ta kryejë punën për shkak të fuqisë së votave që i ka ky koalicion qeverisës. Mirëpo, tash çdo gjë do të varet nëse ata do ta bëjnë një front të përbashkët apo do të veprojnë veç e veç. Por, mendoj se më mirë do të ishte që ata të bashkohen dhe të përqendrohen me një bllok opozitar të unifikuar në mënyrë që t’i koordinonin veprimet e tyre karshi qeverisë së re”, ka thënë Muhaxhiri për “Epokën e re”. Ai ka deklaruar se mundësia e vetme për fuqizimin e opozitës është bashkimi në një bllok unik i Vetëvendosje!-s, AAK-së dhe Nismës.
“Do të varet se si do të veprojnë, pra si parti veç e veç apo si bllok opozitar, gjithmonë duke pasur rezerva për koalicionin final qeverisës sepse ende nuk kemi asgjë përfundimtare. Megjithatë, mënyra e vetme për fuqizimin e opozitës është nëse ata bashkohen dhe veprojnë në mënyrë unike sepse nëse Vetëvendosja, AAK-ja dhe Nisma veprojnë si të veçanta, do ta kenë shumë të vështirë të përballen me koalicionin qeverisës PDK - LDK”, është shprehur Muhaxhiri, duke shtuar se ky koalicion do të ketë stabilitet politik për shkak se e ka shumicën e nevojshme në Kuvend. “Numri i deputetëve të koalicionit PDK - LDK i jep qeverisë së re siguri dhe një komoditet për veprim, prandaj edhe opozita do ta ketë të vështirë të ndikojë në planet, projektet dhe punën e tyre. Pra, do ta ketë të vështirë opozita të përqendrohet në një faktor në vendimmarrje sepse koalicioni i ka numrat që ia mundëson një stabilitet. Prandaj, opozita do ta ketë të vështirë ta luhatë apo prish këtë stabilitet”, ka theksuar Muhaxhiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat