Sulmohet dega e LDK-së në Kodrën e Trimave (Foto)

Lajme

Sulmohet dega e LDK-së në Kodrën e Trimave (Foto)

Më: 22 nëntor 2014 Në ora: 11:24

(E plotësuar) - Policia e Kosovës ka njoftuar po ashtu për këtë rast përmes një komunikate dërguar për media:

Ju informojmë se me 22.11.2014, ora NN, në rrugën Vëllezërit Fazliu në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, gjatë natës janë dëmtuar/thyer disa xhama të zyrave të degës së LDK-se. Rasti është raportuar sot në mëngjes dhe të gjitha njësitet relevante policore menjëherë i janë përgjigjur vendit të ngjarjes për të kryer vend shikimin e vendit të ngjarjes. Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës me njësitet e saja policore janë duke kryer hetime intensive lidhur me zbardhjen e rastit dhe sjelljen para organeve te drejtësisë person/at e dyshuar. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për ndonjë të lënduar./BS

***

Dega e parë e LDK-së në Prishtinë, në lagjen Kodra e Trimave, ka qenë cak i një sulmi nga persona tash për tash të panjohur.
RTKlive mëson se selia e kësaj dege, e cila ndodhet në rrugën “Vëllezërit Fazliu” është sulmuar në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka bërë hetimin e këtij rasti. Përveç thyerjes së xhamave nuk ka pasur dëme tjera materiale.

Ky akt vandal vjen një ditë pasi kjo degë nëpërmjet një njoftimi është shprehur kundër marrëveshjes së koalicionit PDK-LDK. Megjithatë, kryetari i kësaj dege, Ismet Beqiri, ka reaguar menjëherë dje kundër njoftimeve se Dega I e partisë së tij ka reaguar kundër koalicionit PDK-LDK. Ai ka thënë se kjo degë nuk është takuar fare dhe rrjedhimisht nuk ka pasur mundësi të ketë reagim të saj.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat