Takim i përbashkët mes drejtuesve të Komunës dhe taksistëve

Lajme

Takim i përbashkët mes drejtuesve të Komunës dhe taksistëve

Më: 22 nëntor 2014 Në ora: 10:13

Komuna e Prishtinës ka vazhduar me organizimin e diskutimeve publike me qytetarë. Nënkryetari i Komunës, Dardan Sejdiu së bashku me Drejtorin e Shërbimeve publike, Ardian Gashi dhe Udhëheqësin e sektorit për shërbime publike, Habib Qorri, diskutuan me qytetarët e interesuar draftrregulloren për shërbimin e taksive në Komunën tonë.

Sipas Nënkryetarit Sejdiu, ccështje në qytetin e Prishtinës nuk është vetëm transporti publik sa i përket transportit të udhëtarëve me autobusë, por edhe transporti me taksi.

“Qyteti i Prishtinës është një prej qyteteve më të ndotura në rajon dhe përveç kësaj është qyteti i cili e ka të çrregulluar transportin e qytetarëve dhe rrjedhimisht pasi që kemi filluar me reformën e transportit publik, duam që ta reformojmë edhe transportin e autoudhëtarëve me taksi. Kjo së bashku me sistemin e ri të parkingjeve dhe planin e ri të mobilitetit të qëndrueshëm, na siguron që deri në fund të mandatit, Prishtina të ketë transport të integruar të udhëtarëve, të mirëplanifikuar dhe në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian”, tha Sejdiu në këtë takim.

Ai para të pranishmëve prezantoi raportin e standardeve evropiane të emetimit si dhe darftrregulloren për ushtrimin e veprimtarisë së transportit të udhëtarëve me taksi. Kjo draftrregullore iu nda taksistëve të pranishëm, në mënyrë që edhe ata të përbrendësojnë sugjerimet e tyre.

Nënkryetari Sejdiu tha se standardet evropiane të emetimit përcaktojnë limitet e pranueshme për shkarkim të emetimit të automjeteve të reja të shitura në vendet anëtare të BE-së. Ai u shpreh se për t’u përmbushur këto standarde, veturat duhet të plotësojnë së paku kriterin e “Euro 4”, që nënkupton se asnjë makinë të mos jetë më e vjetër se sa prodhim i vitit 2005. Aktualisht, 37 % e automjeteve individuale taksive në Prishtinë bien nën standardet e emetimit të EU. Vetëm 35 % e totalit të taksive në Prishtinë përmbushin standardet e emetimit të Euro 4,5,6.

Sejdiu foli edhe për kriteret që parashihet se duhet t’i përmbushin taksistët, qofshin ata individualë apo kompani. Ai tha se të gjithë njëjtë duhet t’i përmbushin kriteret sa i përket veturave. Me këtë rregullore, ndër të tjera do të definohet edhe ngjyra e taksive në qytetin e Prishtinës, ndërsa planifikohet që ngjyra e veturës të jetë e bardhë, ndërsa simbolet të jenë me ngjyrë të kaltër. Po ashtu, në këtë rregullore definohen edhe një sërë çështjesh të tjera teknike. Pas plotësimit të këtyre kritereve, taksistët do të mund të pajisen me leje që vlen për 5 vite, e jo çdo vit siç është praktikuar deri më tani, me kushtin e vetëm, që një herë në vit të bëjnë verifikimin e të dhënave.

Lidhur me këtë, taksistët kërkuan që të diskutohet kohëzgjatja që Komuna e Prishtinës do t’ua japë atyre në dispozicion për t’i përmbushur këto kritere, respektivisht, mos të jetë tremujori i fundit i vitit 2015, siç është planifikuar me rregullore, por fillimi i vitit 2016, për të cilën gjë gjetën edhe në mirëkuptimin e përfaqësuesve të Komunës së Prishtinës.

Nënkryetari Sejdiu i njoftoi të pranishmit se është duke u punuar në planin e mobilitetit për kryeqytetin, respektivisht transportin publik.

“Ne kemi një marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për një kredi prej 10 milionë euro, e cila se bashku me fondet që i kemi në në Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB), na sjellë investime prej gati 15 milionë eurove që do i bëjmë deri në fund të vitit 2016 në Komunën e Prishtinës sa i përket transportit publik. Në janar të vitit 2015 fillon edhe ndërtimi i planit të qëndrueshme të mobilitetit urban, i cili nuk e trajton vetëm transportin publik, por edhe këmbësorët, transportin e udhëtarëve me taksi, shtigjet e biçikletave dhe gjithashtu në kuadër të tërë kësaj është reforma e përgjithshme e mobilitetit në qytetin e Prishtinës”, tha Sejdiu

Të pranishmëve iu ndanë edhe kopjet e draftrregullores për ushtrimin e veprimtarisë së transportit të udhëtarëve me taksi, ndërsa propozimet e taksistëve dhe përfaqësuesve të kompanive të taksive do të shqyrtohen në diskutimin e ardhshëm, i cili do të zhvillohet me datë 26 nëntor 2014./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat