Rruga e Kombit këtë vit jepet me koncesion

Lajme

Rruga e Kombit këtë vit jepet me koncesion

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 19:55

Rruga e Kombit do të jepet me koncesion brenda këtij viti, por tarifa që duhet të paguajnë qytetarët për mirëmbajtjen e saj ende nuk është vendosur.

Paraprakisht diskutohet për një tarifë që varion 5 deri në 7 euro për çdo makinë që kalon. Lajmi është bërë publik sot nga ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto gjatë raportimit të tij në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë ku është diskutuar buxheti i kësaj ministrie për vitin 2015.

Ministri tha se prioritet vitin tjetër do ketë sektori i ujësjellës-kanalizimeve, dhe mirëmbajtja e rrugëve. Për vitin 2015 buxheti i Transporteve ka një rritje me 2.76 mld lekë. Dhënia me koncesion e Rrugës së Kombit, do të thotë pagesë për çdo përdorues të rrugës.

Çdo automjet që kalon në këtë rrugë do të paguajë një tarifë që pritet të bëhet publike, pas zhvillimit të tenderit brenda dhjetorit të këtij viti.

Haxhinasto përmendi objektiva konkrete të buxhetit të parashikuar për vitin 2015, teksa prioritetet do të jenë rritja e standardit të rrugëve.

Siguria rrugore dhe mirëmbajtja e rrugëve do të mbështeten nëpërmjet shumës prej 4.4 miliardë lekë, krahasuar me 1.2 miliardë lekë në vitin 2014.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat