Kryetari i Drenasit paraqet mbrojtjen në gjykimin për shpërdorim detyre

Lajme

Kryetari i Drenasit paraqet mbrojtjen në gjykimin për shpërdorim detyre

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 16:10

Kryetari i Drenasit Nexhat Demaku të enjten paraqiti mbrojtjen e tij në gjykimin ku bashkë me dy zyrtarë tjerë komunalë po akuzohet për shpërdorim detyre në bashkëkryerje. Bëhet fjalë për një parcelë toke prej më shumë se katër hektarësh të cilën komuna e konsideron të veten, ndërsa Gjykata Supreme e vlerësoi private. Në këtë pronë është ndërtuar një shkollë publike.
Bashkë me Demakun për shpërdorim detyre në bashkëkryerje po akuzohen edhe Mehdi Kurrumeli, drejtor në Shërbimin Kadastral të Komunës së Drenasit dhe Shefqet Morina, referent për ndërrime kadastrale në këtë komunë.
Kundër kryetarit të Drenasit dhe dy zyrtarëve komunalë, ish-Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ngriti këtë akuzë më 28 shkurt 2011.
Të tre ngarkohen se nga 2 tetori i vitit 2008 e deri në ditën e ngritjes së aktakuzës kanë refuzuar të zbatojnë aktvendimin e Agjencisë Kadastrale Të Kosovës për pronën e paluajtshme prej 4 hektarësh, 6 arësh e 82 metrash, duke u shkaktuar dëm Jup e Rexhep Hasit, ndërsa përfitim të paligjshëm Komunës së Drenasit.
Agjencia Kadastrale e Kosovës më 2 tetor 2008 obligoi Drejtorinë për Urbanizëm dhe Kadastër që këtë pronë t’ua regjistrojë në emër të tyre të dëmtuarve Jup e Rexhep Hasit.
Këta të dy këtë pronë e kishin fituar me gjyq në vitin 1998, pasi pretendonin se atë më herët ua kishte marrë shteti.
Por Kuvendi Komunal i Drenasit kishte marrë një vendim që derisa të mos kthehen librat e pronave të marra nga shteti serb, të mos ua njohë personave privatë pronësinë mbi tokat që më parë ishin shoqërore.
Në fillim të seancës Ibrahim Dobruna, avokati i Nexhat Demakut dhe Arif Hasi që në këtë proces mbron të dëmtuarit, paraqitën nga një dokument me të cilët pretendojnë se klientët e tyre kanë të drejtë.
Pastaj seanca vazhdoi me paraqitjen e fjalës mbrojtëse nga kryetari i Drenasit. Nexhat Demaku pasi u deklarua se do t’i qëndrojë besnik deklaratës së dhënë në prokurori tha se ka dijeni për kontestin e komunës me familjen Hasi.
“Për problemin e familjes Hasi jam i njoftuar. Ne si komunë kemi pasur edhe konteste tjera, por zakonisht jemi përfaqësuar nga avokati publik. Kuvendi komunal ka marrë një vendim për pezullimin e përkohshëm për raste të tilla nga vitet e 90-ta”, tha Demaku.
Arif Hasi, avokati i palës së dëmtuar ia prezantoi Demakut vendimin e kuvendit komunal, duke e pyetur të akuzuarin se a e konteston atë.
“Unë nuk i vlerësoj vendimet e kuvendit komunal”, tha Demaku.
Në tokën të cilën me gjyq e kanë fituar të dëmtuarit, është ndërtuar një shkollë. Avokati i të dëmtuarve e pyeti Nexhat Demakun se a ishte ne promovimin e saj. Demaku e pohoi një gjë të tillë.
Avokati e pyeti kryetarin se a e dinte që ai u kishte shkruar një letër Ministrisë së Arsimit, Kuvendit Komunal të Drenasit dhe vetë Demakut me të cilën i njoftonte se shkollën janë duke e ndërtuar në pronën e familjes Hasi.
“Nuk kam dijeni për këtë informatë”, u përgjigj Nexhat Demaku .
Demaku gjatë paraqitjes së mbrojtjes tha se është i vetëdijshëm se vendimet e gjykatave duhet të respektohen.
“Unë nuk kam urdhëruar asnjë zyrtar komunal as me gojë e as me shkrim për mos zbatimin e vendimit të gjykatës, librat e pronave i ka marrë Serbia dhe deri më sot nuk janë kthyer, kur të kthehen ato libra do të jenë të vlefshme dhe do t’i respektojmë”, tha Demaku.
Ai deklaroi se shumë shpejt i është ngritur aktakuzë për këtë çështje.
“Unë jam çuditur se sa shpejt është ngritur aktakuza ndaj meje dhe sa shpejt ka ecur procesi ndaj meje dhe jam plotësisht I pafajshëm”, tha Demaku.
Kryetarja e trupit gjykues tha të kundërtën.
“Si po të duket shpejt kur aktakuza është ngritur në vitin 2011 tani jemi në vitin 2014”, tha gjyqtarja.
Seanca e radhës kur do të japin deklaratë dy zyrtarët tjerë komunalë është caktuar për 13 janar 2015./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat