Serbia kushtëzohet me Kosovën

Lajme

Serbia kushtëzohet me Kosovën

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 00:29

Komisari i Bashkimit Evropian, Johanes Han, mbështeti angazhimin e Serbisë në rrugën e reformave. Por, dialogu dhe normalizimi i problemeve me Kosovën mbetet edhe detyra e parë në këtë rrugë.
Serbia është vendi i parë kandidat për anëtarësim në BE, të cilin do ta vizitojë komisari për Negociata dhe Zgjerimin e BE, Johannes Hahn.

Para nisjes për në Beograd ai tha se BE-ja do të vazhdojë rrugën e zgjerimit. Njëkohësisht në qarqet diplomatike thuhet se Serbia aktualisht është “nxënësi më i mirë” në procesin e afrimit me BE-në. Në dy vitet e fundit Serbia e ka përshpejtuar procesin e afrimit me BE-në.

Në këtë rrugë një kontribut të madh ka dhënë dialogu me Kosovën. Por dialogu dhe normalizimi i problemeve me Kosovën mbetet edhe detyra e parë në këtë rrugë.

“Serbia duhet të vazhdojë t’i plotësojë detyrat e veta në këtë rrugë. Ndërsa shpejtësia e negociatave varet nga shpejtësia e reformave dhe vazhdimi i normalizimit të raporteve me Kosovën”, theksoi Hahn.

Por as komisari për Politikat Rajonale konkretisht nuk mund të përgjigjet në pyetjen kur do të fillojnë negociatat për anëtarësimin e Serbisë. Në BE ende nuk është arritur konsensus se kur do të hapet kapitulli i parë dhe cili do të jetë ai.

“Në rrugën e Serbisë drejt BE-së janë 35 kapituj. Në 22 kapituj ka përfunduar procesi i vlerësimit të gjendjes. Kapitujt më të rëndësishëm janë ata që kanë të bëjnë me reforma, sundimin e ligjit dhe liritë. Por në rastin e Serbisë më i rëndësishmi në fillim është kapitulli 35, që ka të bëjë me raportet me Kosovën. Pikërisht Gjermania është ajo që insiston që ky kapitull të hapet i pari dhe që të zbatohet Marrëveshja e Brukselit”, tha ai.

Ndërsa, Han lidhur me negociatat për anëtarësim, tha se vendosin të gjitha 28 vendet anëtare.

“Dhe nëse Gjermania e sheh këtë çështje si prioritet, atëherë ne duhet ta respektojmë këtë qëndrim, thotë Charles Tanok, europarlamentar britanik. Unë angazhohem për raporte më të mira mes Beogradit dhe Prishtinës. Aktualisht kemi probleme rreth krijimit të pushtetit në Kosovë. Gjermanët mendojnë se mund të punojmë vetëm mbi bazën e konsensusit. Ndërsa qeveria britanike është më fleksibël”, pohon ai. Njëkohësisht në Bruksel i kanë hedhur poshtë pohimet se fillimi i negociatave me Serbinë varet nga raportet e saj me Rusinë”, tha ai.

Ai tha se raportet mes Beogradit dhe Moskës nuk janë kusht. /DW/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat