Alarmi: Diskriminimi malazez! Shqiptarët po humbin territoret

Lajme

Alarmi: Diskriminimi malazez! Shqiptarët po humbin territoret

Nga: Intervistoi: Beqir Sina Më: 20 nëntor 2014 Në ora: 20:56

Nju Jork - I ndodhur në SHBA- javën e kaluar, Dr. Nail Draga, drejtor i Qendrës Kulturore në Ulqin, si i ftuar në Konferencën e dytë ndërkombëtare, kushtuar shqiptarëve në Mal të Zi, e cila është mbajtur në Universitetin Oakland - Michiganit – paraqiti kumtesën "Shqiptarët në Mal të Zi në regjistrimet e popullsisë (1948-2011)", i dha një intervistë të posaçme gazetarit tonë Beqir Sina, ku ai fletë për konferencën, gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi, dhe se cila është sot pozita e shqiptarëve në Mal të Zi tetë vjet pas pavarësisë.
Autori i 8 librave ka marrë pjesë në shumë takime, tribuna, sesione, simpoziume dhe konferenca të ndryshme shkencore, nga fusha e gjeografisë, etnologjisë, historisë, ekologjisë dhe çështjeve të drejtave të njeriut brenda dhe jashtë vendit.
“Bota sot”: Cili është qëllimi i vizitës suaj këtu në SHBA?

Dr. Nail Draga: Isha i ftuar në Konferencën e dytë ndërkombëtare kushtuar shqiptarëve në Mal të Zi, e cila është mbajtur në Detroit. Konferenca u sponsorizua nga Departamenti i shkencave Politike dhe Enti i Studimeve ndërkombëtare të Universitetit Oakland, së bashku me disa shoqata shqiptaro-amerikane nga Nju Jorku dhe nga Miçigani. Në këtë takim jam paraqitur me kumtesën "Shqiptarët në regjistrimet e popullsisë në Mal të Zi(1948-2011)", ku kam trajtuar në mënyrë analitike pasaktësitë e tyre regjistrimeve sidomos sa i përket strukturës kombëtare të popullsisë, nga del se numri i shqiptarëve realisht ka qenë më i lartë se sa e ka paraqitur statistika zyrtare. Janë bërë krahasimet nga koha e monizmit dhe atë të pluralizmit, ku vërehen dallime të mëdha. Aspak më mirë nuk qëndron gjendja as me pjesëtarët e popujve të tjerë si serbët, boshnjakët, kroatët etj. Nëse analizojmë të dhënat nga regjistrimi i vitit 1948 dhe këtë të fundit del qartë se kemi pasur të bëjmë me regjistrime ideologjike dhe koncepte unitariste, duke e paraqitur këtë mjedis si homogjen në mënyrë artificiale, edhe pse ky ishte dhe është tani mjedisi më heterogjen dhe më multinacional dhe kulturor në Evropën juglindore dhe më gjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat