Daçiç: Vizita e Ramës në Beograd e pavlerë

Lajme

Daçiç: Vizita e Ramës në Beograd e pavlerë

Më: 11 nëntor 2014 Në ora: 18:04

Atë që dje kreu i diplomacisë serbe e tregoi me shprehinë e fytyrës së tij, sot e shprehu edhe me fjalë. Ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç gjatë një interviste për “B92” tha se vizita e Ramës në Beograd ishte e pavlerë dhe se shkeli protokollin diplomatik, lidhur me marrëveshjen për atë që do të flisnin.

“Nuk është fjala që deklarata e Ramës për Kosovën na habiti. Ne e dimë se çfarë vendi mendon në lidhje me statusin e Kosovës. Ne po flasim për diçka tjetër. Kjo është një praktikë e zakonshme diplomatike, e cila u kthye në një mosmarrëveshje, pasi paraprakisht vendosen temat që do diskutohen dhe formulimet që do të përdoren”, tha Daçiç.

Ministri i Jashtëm serb u shpreh gjithashtu se, vizita e Ramës nuk e përmbushi qëllimin e saj, qëllim që sipas tij ishte "për të bërë një hap përpara në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shqipërisë". Daçiç theksoi se as ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, gjatë vizitës së saj në Beograd nuk kërkoi njohjen e Kosovës, ndërsa këtë e bëri kryeministri shqiptar.

“Serbia ka treguar të jetë përgjegjëse, ndërsa mesazhet e Ramës nuk janë në përputhje me objektivat e vizitës. Ne nuk kemi arritur askund me këtë", tha Daçiç.

Lidhur me fjalim e kryeministrit Rama në Preshevë, se shqiptarët e Serbisë kanë më pak të drejta se serbët në Kosovë, Daçiç tha se deklarata të tilla janë të pakuptimta.

“Rama është kryeministri i Kosovës apo i Shqipërisë? Çfarë duhet të flasë ai? Cila është pozita e serbëve në Shqipëri? Ata nuk do të nënshkruajnë një marrëveshje mbi pakicat kombëtare, sepse ata e kanë plotësisht gabim. Por kjo është në rregull, sepse nuk kishte asnjë serbë, ishin të gjithë shqiptarë. Në vend që të fliste për serbët në Shqipëri, Rama foli për serbët në Kosovë", deklaron Daçiç për “B92”.

Më pas ministri i Jashtëm serb shtoi se vizita shtoi tensionet mes të dy palëve, kështu që sipas tij “vizita nuk përmbushi atë për të cilën ishte organizuar, normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat