Hajrizi: Postimin në Facebook nuk ka mund ta bëjë Bllaca

Lajme

Hajrizi: Postimin në Facebook nuk ka mund ta bëjë Bllaca

Më: 1 nëntor 2014 Në ora: 14:30

Shemsi Hajrizi thotë se Nazim Bllaca nuk ka pasur mundësi të përdorë pajisje komunikimi brenda Burgut të Dubravës. Mirëpo, në postimin e tij në Facebook, Bllaca shkruan në vetën e parë, lidhur me përfshirjen e tij të mundshme në procesin e hetimeve ndaj zyrtarëve të EULEX-it, në kohën kur ai gjendet prapa grilave.

Nazim Bllaca, i vetëshpalluri agjent i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), e cili po vuan dënimin me burg për një sërë veprash penale, përfshirë edhe vrasje, është paraqitur në publik, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Në kohën kur ai gjendet në Burgun e Dubravës, në profilin e tij në Facebook, është postuar një koment, ku Bllaca shkruan lidhur aferat korruptive të zyrtarëve të EULEX-it dhe përfshirjen e tij në këtë ngjarje.

Në postimin e publikuar në këtë profil, Bllaca duke folur në vetën e parë ka thënë se është duke i përcjell me vëmendje skandalet e fundit të EULEX-it dhe ka shtuar se, pas datës 10 nëntor do ti sqarojë raportet me këtë mision dhe me Brukselin.

Në bazë të rregullave të punës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, të burgosurve nuk i lejohet asnjë aparat komunikimi me jashtë.
Këtë e thotë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues, Shemsi Hajrizi, i cili në një prononcim për lajmi.net, ka bërë të ditur se deri më tani nuk është paraqitur ndonjë rast, ku një i burgosur është lejuar të përdor ndonjë telefon celular apo edhe pajisje tjera që kanë qasje në internet.

Lidhur me rastin e Nazim Bllacës, ai shprehët skeptik, duke thënë se në profilin e tij kanë mundur të shkruajnë edhe persona tjerë. Por, ai mohon mundësinë që Bllaca ta ketë përdorur vet internetin nga burgu për ta bërë këtë postim në Facebook.

“Ne me rregullat tona të brendshme nuk lejojmë që të përdorët telefoni apo ndonjë mjet komunikimi nga të burgosurit, pra ligji nuk e lejon këtë. Unë nuk mund të komentoj nëse dikush deklarohet në emër të personit në fjalë”.
Hajrizi thotë se Shërbimi Korrektues do të merr masa, në rast se zbulon se i burgosuri Bllaca ka arritur të përdor ndonjë mjet komunikimi brenda mureve të burgut. Mirëpo, në prononcimin e tij, Hajrizi ka lënë të kuptohet se, depërtimi i ndonjë pajisje komunikimi brenda Burgut të Dubravës, ka mundur të bëhet nga stafi ndërkombëtar, pasi që ai thotë se garanton vetëm për vendorët.

“Në rast se është vërejtur se dikush ka përdorur ndonjë mjet komunikimi brenda burgut, atëherë, normalisht përballet me masat disiplinore. Por deri më tani, ne nuk kemi pasur ndonjë rast të tillë. Unë mund të flas për stafin vendor, për të tjerët nuk e di”, ka thënë Hajrizi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat