Pupovci: Shtimi i numrit të studentëve në dëm të cilësisë së arsimit

Lajme

Pupovci: Shtimi i numrit të studentëve në dëm të cilësisë së arsimit

Më: 1 nëntor 2014 Në ora: 14:29

Eksperti i arsimit Dukagjin Pupovci, ka thënë se rritja e numrit të studentëve në Universitetin e Prishtinës, do ta dëmtonte cilësinë e arsimit. Ai u ka tërhequr vërejtjen Parlamentit Studentor se është jashtë kompetencave të tyre që të bëjnë kërkesë për shtim të studentëve.

Pas kërkesë së Kryesisë së Parlamentit Studentor të Universitet të Prishtinës ‘Hasan Prishtina”, drejtuar Senatit të këtij Universiteti, për shtim të numrit të studentëve për 20 ose 30 për qind, ka reaguar edhe eksperti i Arsimit, Dukagjin Pupovci.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është jashtë kompetencave të organizatave studentore që të bëjnë një kërkesë të tillë.

Pupovci, ka dhënë edhe sqarimet e tij se pse nuk duhet të ndodh një gjë e tillë. Ai ndër të tjera ka thënë se shtimi i numrit të studentëve në gjendjen në të cilën ndodhet UP-ja, do të ishte në dëm të cilësisë së arsimit.
“E para, nuk është punë e organizatave studentore të kërkojnë rritje të numrit të studentëve, por t’i përfaqësojnë interesat e studentëve aktualë, anëtarë të tyre”.

“Rritje mund të kërkojë Qeveria në pamundësi që t’u ofrojë të rinjve perspektivë punësimi ose për motive të tjera politike, por Kosova, që tani ka arritur standardet evropiane sa i përket pjesëmarrjes në arsimin e lartë, duke mbetur larg për nga cilësia”.

“E dyta, çdo rritje e numrit të studentëve në kushtet kur Universiteti është i stërngarkuar dhe pa numër të mjaftueshëm të kuadrit akademik, do ta dëmtojë rëndë cilësinë në UP, e me këtë edhe mundësitë për punësim të atyre që studiojnë në UP”.

“Në disa fakultete të UP përpjesëtimi mësimdhënës-student është mbi 1:100 që është dhjetëfish më pak se në vendet e zhvilluara”.

“E treta, këto rritje të vazhdueshme me 20 e 30 për qind kanë bërë që në këtë Universitet të humbet krejtësisht serioziteti. Si mund të flitet për rritje një muaj pas fillimit të vitit të ri akademik? Si mund të parandalohet korrupsioni kur njerëzve u jepet mundësia të regjistrohen jashtë rregullave dhe procedurave në nëntor e në dhjetor siç ka ndodhur në vitet e kaluara?”, ka shkruar Pupovci.

Ndryshe Kryetari i Parlamentit të Studentëve, Arben Mehmeti, ka thënë se një kërkesë të tillë e kanë drejtuar, pas kërkesave të shumta nga ana e të rinjve që kanë diplomuar në shkollimin e mesëm që të regjistrohen në UP.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat