Obama kurd

Lajme

Obama kurd

Më: 1 nëntor 2014 Në ora: 11:55

Një çift kurd nga Kobane, i cili për shkak të luftimeve mes luftëtarëve kurdë që po e mbrojnë qytetin dhe xhihadistëve, ka ikur në Turqi, në shenjë mirënjohjeje për sulmet dhe ndihmën e SHBA-së, fëmijës së tyre të porsalindur i kanë vënë emrin e presidentit amerikan.

Sultan Muslim, një kurde siriane, nuk kishte asnjë pikë dyshimi se çfarë emri do t’i vinte fëmijës së shtatë të saj që i lindi në kampin e refugjatëve në Suruç të Turqisë, ku ishte vendosur pas ikjes nga shtëpia e saj në qytetin matanë kufirit, Kobane. Të porsalindurit ia dhanë emrin e presidentit të Shteteve të Bashkuara: Obama.

Kjo nënë dhe bashkëshorti i saj kishin vetëm një hall: si ta sillnin në jetë fëmijën e ardhshëm në një vend të sigurt. Për këtë arsye, një muaj më parë, ata kishin marrë gjashtë fëmijët dhe kishin kaluar kufirin, duke ikur nga qyteti i tyre, të cilit në atë kohë po i afroheshin xhihadistët e “Shtetit Islam” (SHI), të njohur për krime të llahtarshme ndaj atyre që nuk mendojnë e besojnë si ata. Që Kobane, qytet strategjik, të mos binte nën kontrollin e xhihadistëve, u angazhua edhe një koalicion ndërkombëtar, i kryesuar nga SHBA, i cili, që prej disa javësh, me bombardime nga ajri po përpiqet ta pengojë përparimin e “Shtetit Islam”.

“Ia lashë këtë emër djalit me gjithë zemër dhe kurrë nuk do t’ia ndërroj”, tregon nëna 35-vjeçe, e cila tashmë me shtatë fëmijët jeton në një kamp tendash, i ngritur përreth qytetit kufitar turk Suruç.

“Ai (presidenti amerikan) i dërgoi avionët për ne, na dërgoi furnizime. Falë ndihmës së tij ndoshta do të ndalen mizoritë dhe do të kthehemi në shtëpitë tona”, mendon Sultan Muslim, e cila e përkund djalin e saj, i cili ka lindur pak ditë më parë.

Familja është arratisur nga qyteti gati një muaj më parë. Ata janë pjesë e një eksodi prej 200.000 kurdësh që tashmë kanë hyrë në Turqi për t’i shpëtuar sulmit mbi Kobanen. “Kemi qenë të bllokuar për disa ditë në kufi, pa ujë e ushqime”, tregon nëna e re, teksa kujton se si autoritetet turke i kishin penguar për disa ditë të hynin në territorin e Turqisë. “Kur ikëm nuk arritëm të merrnim asgjë me vete, as rroba, as batanije… Unë isha shtatzënë dhe s’mund të bëja dush për të cilat kisha nevojë”.

Ndonëse nuk është fëmija i parë në botë që i është vënë emri i presidentit amerikan, zgjedhja e kësaj familjeje kurde tregon mirënjohjen për ndihmën e SHBA-së, meqë shumica e kësaj popullate pothuajse kishin humbur shpresat se do t’u dilte ndokush ndonjëherë në ndihmë.

“Ne e quajtëm djalin Muhammed Obama Muslim në shenjë mirënjohjeje për ndihmën e Shteteve të Bashkuara për ta shpëtuar Kobanen”, thotë babai Mahmut Beko. “Ne duam që Obama të na ndihmojë edhe të kthehemi në shtëpi. Edhe ne jemi qenie njerëzore. Ne, kurdët, kë e sulmuam, kundër kujt luftuam?”, thotë ai.

Sikurse shumë familje të tjera, familja e Obamas kurd, është vendosur në qytetin e tendave, që është shumë afër qytetit të tyre, veçse Kobane është matanë kufirit. Nga aty ata përcjellin luftimet mes luftëtarëve kurdë, që e mbrojnë qytetin, dhe terroristëve të “Shtetit Islam”. Ata i gëzohen secilit bombardim ajror të koalicionit që përbëhet nga vende perëndimore dhe arabe. Nga një kodrinë, operacionet e avionëve i përshëndesin edhe një kurd turk dhe një kurd sirian. Pas çdo sulmi, ata brohorasin: “Obama, Obama”. “Kështu si amerikanët kurdët në Kobane duhet t’i ndihmojë e tërë bota. Përveç amerikanëve ne s’kemi miq të tjerë të vërtetë”, thotë njëri prej tyre, Selami Altay.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat