VV kërkon largimin e drejtoreshës së arsimit në Gjakovë

Lajme

VV kërkon largimin e drejtoreshës së arsimit në Gjakovë

Më: 31 tetor 2014 Në ora: 21:04

I kanë dhënë shumë arsye për kërkesën që kanë për largimin e drejtoreshës së Arsimit në Komunën e Gjakovës, Diana Çarkagjia.

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Gjakovë, përmes një njoftimi për media, tregon pakënaqësitë e saj në lidhje me drejtoreshën Çarkagjia, që sipas tyre, ka lejuar shumë shkelje.

Gjatë një konference për media, Koordinatori i Qendrës Driton Çaushi dhe asambleisti Agon Batusha, kanë thënë që pas analizave që i kanë bërë raportit të Drejtorisë Komunale të Arsimit i cili flet për gjendjen e arsimit në Komunën tonë, thotë se kjo fushë në Komunën e Gjakovës ka probleme të mëdha.

“Më 3 shtator përmes një komunikate, ne si Lëvizje kemi alarmuar Komunën për shkeljet që kanë ndodhur në procesin e rekrutimit të stafit të ri arsimor në shkolla. Më 5 shtator ne kemi kërkuar qasje në dokumentacionin zyrtar përkatësisht testet e përdorura për testimin e aplikantëve. Kanë kaluar 2 muaj e ende nuk na është lejuar qasja në këto dokumente. Përkundrazi, kemi pranuar një përgjigje formale vetëm me datë 23 tetor, e cila bart shumë parregullsi e joprofesionalitet. Kjo na ka bindur edhe më tepër që dyshimet tona për keqpërdorimet gjatë kësaj procedure. Shumë aplikantë kanë dalë të pakënaqur nga ky proces i cili po vazhdon edhe 2 muaj pas fillimit të vitit shkollor. Vonesa në zgjedhjen e stafit kanë shkaktuar mjaft probleme dhe paqartësi të nxënësit e shkollave”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Përveç kësaj, Vetëvendosje thotë se kanë dyshime për keqpërdorime edhe në konkursin e shpallur për Shkollën e mesme të Mjekësisë. Aty, sipas Vetëvendosjes, është anuluar konkursi vetëm një ditë para së të mbahej testimi dhe se njoftimi i aplikantëve është bërë përmes sms-ve pa sqarime shtesë.

Problem tjetër me rëndësi të veçantë, sipas VV-së është edhe vonesa në kryerjen e punimeve në një nga shkollat fillore më të mëdha në Komunë, "Yll Morina".

Përfaqësuesit e VV-së në Gjakovë, citohet të ketë thënë gjatë konferencës se drejtoresha e arsimit në prononcime publike ka dhënë data të ndryshme të fillimit të mësimit në këtë shkollë.

“Ajo ka përmendur 1 shtatorin, 1 tetorin dhe së fundi 25 tetorin. Siç e dimë, punimet në këtë shkollë nuk janë kryer as sot e kësaj dite. Nxënësit e kësaj shkolle janë shpërndarë në 3 shkolla tjera të qytetit duke shkaktuar paqartësi dhe çrregullim të procesit mësimor për shkak të numrit të madh të nxënësve. Fajin për këtë vonesë është ekskluzivisht i Drejtorisë sepse punimet duhet të ishin kryer gjatë periudhës së pushimeve verore”, citohet të kenë thënë përfaqësuesit e VV-së gjatë konferencës.

Vetëvendosje thotë se është shqetësuese edhe siguria nëpër shkolla, që sipas tyre është mjaft shqetësuese. Ata, ja kanë përmendur drejtoreshës së Arsimit, rastin e arsimtarit të Edukatës Qytetare në shkollën fillore "Zekerija Rexha" i cili rrihte nxënësit e tij.

Sipas VV-së, ky arsimtarë do të duhej të largohej menjëherë, pasi që ata thonë se kanë kuptuar që kjo nuk ishte hera e parë që ky arsimtar bënë një gjë të tillë.

Në mesin e ankesave dhe parregullsive, Vetëvendosje e ka futur si shqetësuese edhe kërkimin e të hollave nga nxënësit, në emër të sigurimit të shkollës.

“Duke e ditur gjendjen e rënduar ekonomike në qytetin tonë, Drejtoria duhet të reagojë që një praktikë e tillë të ndërpritet menjëherë. Kjo Drejtori në bashkëpunim me organet tjera kompetente duhet të gjejë zgjidhje për këtë problem që siguria të jetë në nivel pa pasur nevojë të paguhet nga buxheti familjar tepër i varfër i qytetarit”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Komunikimi me palët i kësaj Drejtorie përkatësisht Drejtoreshës Diana Çarkagjia, sipas VV-së, lë shumë për të dëshiruar, pasi sipas tyre, ajo është shumë rrallë në zyrën e punës dhe qytetarët dhe palët e interesuara e kanë pasur shumë të vështirë për të rënë në kontakt direkt me të madje edhe përmes telefonit.

Problemet në ngrohjen e shkollave, moskonstituimi i Këshillave Drejtues si hallkë e rëndësishme, përgatitja shumë e ulët e stafit mësimor e cila vërehet nga mesatarja e notave që nuk e kalon dot notën 7, mungesa e transparencës përgjatë konkurseve janë disa çështje të tjera të cilat janë paraqitur në mbledhjen e Kuvendit përmes asamblistit Agon Batusha.

E kur i kanë mbledhur të gjitha këto, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje i kanë bërë thirrje Drejtoreshës së arsimit që të japë dorëheqje nga detyra të cilën sipas tyre nuk po mund ta kryejë sipas përgjegjësisë. E nëse vetë drejtoresha nuk jep dorëheqje, përfaqësuesit e VV-së i kanë bërë thirrje Kryetares së Komunës që të shfrytëzojë kompetencat e saj ligjore dhe të ndërhyje, sepse sipas tyre çdo ditë më shumë keqmenaxhim është kohë e humbur për nxënësit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat