VV në Klinës: Gjendje alarmante në Drejtorinë e Arsimit Komunal të Klinës

Lajme

VV në Klinës: Gjendje alarmante në Drejtorinë e Arsimit Komunal të Klinës

Më: 31 tetor 2014 Në ora: 17:12

Debati i zhvilluar në Kuvendin Komunal të Klinës me 27 tetor 2014 që solli Drejtorin e Arsimit në Interpelancë, vetëm sa e shpërfaqi edhe njëherë gjendjen e mjerueshme ku është fundosur arsimi në Komunën e Klinës dhe rrjetën klientele që ka zgjeruar ky pushtet në administratë.

Kjo rrjetë klientele, e thurur nga dora e pushtetit komunal, përveç që ka kapur pozitat kyçe të stafit civil duke punësuar militantë partiakë, pa ndonjë konkurs apo kualifikim të duhur ka kapur edhe vetë funksionimin e mëtutjeshëm të çdo organizimi shoqëror.

Ta zëmë në shkollat ku janë punësuar militantët e PDK-së, ka vjedhje të kompjuterëve dhe të pjesëve tjera me vlerë që shërbejnë si materiale bazike për shkollën.

Konvertimi i militantëve partiakë në pedagogë e arsimtarëve dhe shpërndarja e tyre nëpër shkollat fillore dhe të mesme pa ndonjë kriter dhe pa u hapur konkursi përbën një shkelje që edhe Zyra e Inspektimit të Arsimit në Rajonin e Pejës e ka konstatuar. Udhëheqësi i kësaj zyre që punon në kuadër të MASHT-it, ka konfirmuar se kanë pasur shumë ankesa nga Klina dhe pas shqyrtimit të tyre kanë vërtetuar se shkeljet që lidhen konkursin fshehjen e vendeve të punës dhe mosplotësimin e kritereve janë të sakta.

Në këtë gjendje të krijuar është më se evidente që drejtori i kësaj drejtorie të mos përgjigjet në disa prej pyetjeve të asamblistëve komunalë lidhur me stafin joprofesional në disa shkolla të kësaj Komune, apo mbi ndarjen e shumës prej 150.000.00 euro për fazën e dytë të ndërtimit të shkollës në fshatin Këpuz edhe pse ende nuk dihet asgjë rreth fillimit të ndërtimit të fazës së parë në të cilën po ashtu janë derdhur 150.000.00 euro.

Tutje, në Komunën e Klinës, zhvillohet mësim paralel nga struktura të caktuara të minoritetit serb gjë të cilën e pranon edhe vetë Drejtori i arsimit, i cili shprehet të jetë i pafuqishëm në ndërmarrjen e masave të parapara me ligj, ndaj kësaj shkolle, e cila ndodhet vetëm 3 km larg zyrave të kësaj drejtorie.

Se nuk ka njohuri dhe interesim për përmirësimin e gjendjes së arsimit në Komunën e Klinës e dëshmon edhe vetë Kryetari i Komunës, “Sulltan Sokoli”, fëmijët e të cilit nuk vijojnë mësimin në shkollat e Klinës.

Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë të angazhohet për përmirësimin e cilësisë së arsimit në Komunën e Klinës përkrah të gjitha fushave të tjera që bien në domenin e interes publik.

Në të njëjtën kohë Lëvizja Vetëvendosje do t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet si brenda dhe jashtë Kuvendit Komunal në pasqyrimin e së vërtetës për qytetarët e Komunës së Klinës.

Bëjmë thirrje shoqërisë civile e mediave në vend, e sidomos organeve të drejtësisë meqë një pjesë e madhe e këtyre problemeve janë po ashtu raste me natyrë penale, të na ndihmojnë në çrrënjosjen e praktikave korruptive kaq të rënda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat