Mbahet ceremonia përmbyllëse e javës se viktimave të krimit

Lajme

Mbahet ceremonia përmbyllëse e javës se viktimave të krimit

Më: 31 tetor 2014 Në ora: 14:54

Nën moton ‘’1 javë vetëdijesim dhe 365 ditë shërbim’’, e organizuar nga Zyra e Prokurorit të Shtetit dhe e mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sot u mbajt ceremonia përmbyllëse e javës së viktimave të krimit.

Kjo ceremoni është organizuar në Ferizaj me mbështetjen e Kryetarit të kësaj Komune, Muharrem Sfarqa, i cili para të pranishmëve tha se si shoqëri, si institucione dhe si shoqata, sa i takon mbrojtjes së viktimave të krimit, duhet të orientojmë aktivitetin tonë në disa drejtime të cilat përpiqen për njoftimin dhe sensibilizimin e publikut rreth përmasave që ka krimi në vendin tonë, për numrin e viktimave të krimit, të përpiqemi për ngritjen e vetëdijes për të drejtat e viktimave të krimit, si dhe, të përpiqemi për krijimin e mundësive që viktimave të krimit t’u jepet hapësirë për t'i kuptuar sa më mirë që të jetë e mundur shqetësimet e tyre.

Ndërsa, Zëvendës-Kryeprokurorja e Shtetit, Laura Pula, tha se sot të gjithë janë mbledhur për të shprehur edhe një herë gatishmërinë e të gjitha institucioneve për mbrojtjen dhe përkrahjen e viktimave të krimit. Ajo tha se sensibilizimi i publikut me të drejtat e viktimave të krimit, përveç obligimit moral dhe njerëzor, është edhe përgjegjësi dhe obligim ligjor i të gjithëve.

“Vetëdijesimi i publikut me të drejtat e viktimave të krimit është punë dhe obligim i përditshëm dhe i përbashkët. Vetëdijesimi pa dyshim se është një pjesë e obligimeve tona, por mbrojtja dhe përkrahja e të drejtave të viktimave të krimit është mision dhe vlere e cila duhet të zbatohet në praktikë çdo ditë nga të gjithë ne. Të drejtat e viktimave të krimit janë të drejta të garantuara me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Kosovës”, tha Pula.

Më tej, Zëvendës-Kryeprokurorja e Shtetit tha se Zyra e Kryeprokurorit të shtetit ka krijuar infrastrukturën ligjore dhe ka rritur resurset njerëzore që viktimat e krimit të trajtohen me dinjitet dhe respektin që e meritojnë.

Në fund të fjalës së tij, Zëvendës-Kryeprokurorja e Shtetit Laura Pula tha se për sistemin prokurorial të Kosovës mbrojtja dhe përkrahja e viktimave të krimit është prioritet dhe udhërrëfyes për të gjithë personelin e këtij sistemi, ndërsa siguroi të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme që viktimat e krimit të trajtohen me respekt dhe dinjitet, ashtu siç e meritojnë.

Me fjalë rasti para të pranishmeve të kësaj ceremonie janë paraqitur dhe udhëheqësit e sistemit të drejtësisë dhe policisë së Komunës së Ferizajt, përfaqësuesja e Strehimores së kësaj komune dhe Koordinatorja për viktima dhe dëshmitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Nikoll Borrello.

Java e viktimave të krimit ka filluar me ceremoninë qendrore e cila është mbajtur ditën e hënë, ka vazhduar në tri ditët në vijim me konferencën rajonale e cila ishte organizuar me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa është përmbyllur sot me mbajtjen e kësaj ceremonie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat