Të gjithë në qendër të Prishtinës kundër kancerit të gjirit (Foto)

Lajme

Të gjithë në qendër të Prishtinës kundër kancerit të gjirit (Foto)

Më: 31 tetor 2014 Në ora: 13:26

Ka filluar tubimi i cili përfundon me një marsh në luftë kundër kancerit të gjirit.

Në këtë tubim që po marrin pjesë Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, gratë deputete, organizata të ndryshme dhe shumë qytetarë të tjerë, të gjithë njëzëri kanë vetëm një moto, ‘Zbulimi i hershëm Mbijetesë”.

Presidentja Jahjaga u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve për përkushtim dhe ndihmë financiare në mënyrë që të gjitha gratë të kontrollohen herët, meqë në këtë sëmundje kontrollimi i hershëm, thuajse në shumicën e rasteve është mbijetesë.

Jahjaga, Ahmeti dhe kryetarja e Shoqatës “Jeta-Vita”, Nafije Latifi bënë thirrje tek të gjithë qytetarët që t’i tregojnë secilës nënë, bijë, grua dhe motër që t’i kushtojnë rëndësi kontrollimit ngaqë kjo sëmundje fizikisht atakon edhe femrat edhe meshkujt, pastaj i godet një familje të tërë.

<<Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në manifestimin “Ecja kundër kancerit të gjirit”>>

I nderuar ministër Agani,
I nderuar kryetar i komunës së Prishtinës, z. Ahmeti,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Republikën e Kosovës,
Të nderuar familjarë,
E nderuara zonja Latifi,
Të nderuar qytetarë
Të nderuara Gra, mike të dashura!
Ecja tradicionale për jetë, me moton “Zbulimi i hershëm - Mbijetesë” është një kontribut i yni i përbashkët për sensibilizimin e opinionit rreth sëmundjes së kancerit të gjirit, e cila në vendin tonë ende po vazhdon të marr shumë jetë njerëzish.
Sëmundja e kancerit, e cila i prek pa dallim të gjitha shtresat e shoqërisë dhe të dyja gjinitë është shqetësim global, sepse numri i të prekurve nga kjo sëmundje po shtohet nga dita në ditë. Të ndërgjegjshëm për këtë po shtohen përpjekjet e komunitetit shkencor dhe atij mjekësor për të gjetur zgjidhje, për parandalim dhe shërim të kësaj sëmundje.
Nga ky manifestim i ftoj institucionet tona për më shumë vëmendje dhe kujdes, më shumë angazhim e përkushtim në betejën për zbulim sa më të hershëm të kancerit, për më shumë mjete financiare të dedikuara për hulumtime shkencore si edhe për furnizim me të gjitha barërat e nevojshme për parandalimin dhe trajtimin e të prekurve nga kjo sëmundje.

Me angazhimin e të gjithëve, ne do ti ja dalim! Do ta mundim sëmundjen!
Ne kemi dëshmuar se me punë të palodhshme dhe me përkushtim mund të tejkalohen shumë sfida, mund të parandalohen shumë sëmundje, vetëm nëse ato zbulohen me kohë dhe e vetmja mënyrë për zbulim të hershëm është kontrolli i rregullt mjekësor, që duhet të bëhet pjesë e kulturës tonë jetësore për jete të shëndetshme.
Më mirë dhe më lirë është të parandalojmë se sa të shërojmë. Prandaj ju inkurajoj të gjithëve të bëni kontrolle të rregullta mjekësore.
Të gjitha juve gra, motra, nëna dhe vajza të guximshme, që jeni prekur nga kjo sëmundje, por nuk jeni dorëzuar, Ju lus që rrëfimet tuaja t’i ndani me gratë dhe vajzat e tjera, sepse kështu do të ndihmoni në zbulim të hershëm, do të shpëtoni jetë!
Nuk ka asgjë më të vlefshme se sa jeta e njeriut, prandaj duhet ta çmojmë atë!
Zonja dhe zotërinj, të nderuar të pranishëm,

Para një viti i pata përgëzuar grupin e grave deputete për nismën e tyre që të sigurojnë mjete për të sjellë mamografin mobil dhe sot me shumë kënaqësi i përgëzoj për përmbushjen me sukses të këtij misioni fisnik.
Mamografi mobil, do të jetë në shërbim të të gjitha grave kudo, në secilin pjesë të Kosovën. Qëllimi ynë i përbashkët është që çdo grua të ketë qasje në shërbimet mjekësore në mënyrë që të parandalohet kanceri i gjirit por edhe të zbulohet në fazat sa më të hershme.
Në mesin tonë ka shumë gra të cilat nuk janë dorëzuar, që kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë për jetë cilësore edhe pas diagnostikimit me këtë sëmundje. Ka shumë familjarë të cilët kanë bartur mbi supe përpjekjet për shërimin e më të dashurve të tyre. Forca e tyre duhet të na shërbej si shembull për të mos u ndalur në kërkim të zgjidhjes që të triumfojmë mbi sëmundjen e kancerit të gjirit. Ashtu siç po vepron drejtoresha e Qendrës Kosovare të Kancerit të Gjirit “Jeta-Vita”, zonja Nafije Latifi, e cila me vite po angazhohet që të shpërndaj informacione dhe të ngrisë vetëdijen qytetare për rrezikun nga kjo sëmundje.
Ne individualisht por edhe si shoqëri e institucione çdo ditë duhet të dëshmojmë përkujdesje dhe mbështetje për të gjithë të prekurit nga kanceri dhe për familjet e tyre.
Për të ngadhënjyer mbi këtë sëmundje, ne duhet të fitojmë beteja të njëpasnjëshme. Përderisa me ju tërë kohën janë më të afërmit, më të dashurit tuaj, të jeni të bindura se me ju gjithë kohës jemi të gjitha ne!
Me “Ecjen për jetë” ne të gjitha bashkë, po tregojmë vendosmëri në ngritjen e vetëdijes për rrezikun nga kjo sëmundje me qëllim që të gjithë qytetarët të njoftohen me simptomat, me kushtet e trajtimit në institucionet shëndetësore si dhe me mundësinë për jetë normale dhe me dinjitet.
Lufta me kancerin e gjirit, është luftë e jona e përbashkët!
Suksesi, është një mision i mundshëm!




Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat