Bojan Bozhoviq, i cili thotë se ka qenë agjent i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, është ftuar nga EULEX-i që sot të japë një deklaratë, përkatësisht të dëshmojë lidhur me vrasjen e policit të Kosovës, Enver Zymberi, i vrarë gjatë operacionit policor për të marrë dy pikat kufitare në veri, më 27 korrik 2011.
Një javë më parë Bozhoviq doli me një deklaratë publike në faqen e tij në “Facebook”, duke treguar se para tre vjetëve e kishte njoftuar AKI-në se kush e kishte vrarë pjesëtarin e PK-së, Enver Zymberin.
Në postimin e tij ai shprehte habinë dhe pyeste se si ka mundësi që vrasësi dihet dhe ende shëtitet lirshëm.
“Në këtë ditë, tre vjet më parë në Agjencinë e Inteligjencës e kam dorëzuar raportin kush e vrau oficerin e Policisë së Republikës së Kosovës, Enver Zymberi. Pse askush nuk e thotë emrin e vrasësit?”
Pse vrasësi i lirë shëtitet në Kosovë? Ok. Jam Bojan Bozhoviq, ish-pjesëtar i AKI-së (Agjencia Kosovare për Inteligjencë) udhëheqës i projektit të të ashtuquajtur “Veri” me 154 hetimet prej gushti 2011 deri te fillimi këtij viti. E di që me këtë informatë rrezikoj jetën dhe sigurinë familjare, mirëpo nuk kam frikë sepse dashuria për Kosovën është më e madhe se jeta. Boll ma heshtje! Më mirë në dhe si hero sesa i lumtur si rrenacak .Bojan Bozhoviq”, ka shkruar në “Facebook”Bozhoviq, i cili një kohë ka qenë edhe gazetar që ka raportuar nga veriu për mediat në gjuhën shqipe. Një javë pas kësaj paraqitjeje, ai është ftuar që sot të dëshmojë në Gjykatë.
“EULEX-i më ftoi zyrtarisht, si Bojan Bozhoviq, që të dëshmoj në rastin e Enver Zymberit, nesër në ora 11 në Gjyqin e Mitrovicës veriore. Pasi unë kam punuar në atë rast si pjesëtar i AKI-së, por në atë rast dosja është me shenjën “sekret shtetëror” dhe as EULEX-i nuk do të dijë më shumë se ajo që kam postuar në “Facebook” para një jave” thotë ai, duke shtuar se është i zhgënjyer me EULEX-in, ngase ftesën ia dërgon një natë para se të fillojë gjykimi dhe nuk i siguron as përcjellje policore.
Lidhur me vrasjen e policit Zymberi deri më tani ka pasur disa të arrestuar, por shumë nga ta ndërkohë janë liruar. Disa arrestime që mund të ndërlidhen me rastin ishin realizuar edhe kohë më parë.
Polici Zymberi u qëllua me snajper në kokë, pasi konvoji i automjeteve të Policisë ra në një pritë të ngritur nga grupe serbësh, njëri nga të cilët, siç thuhej jozyrtarisht, ka rrëfyer gjithë ngjarjen, duke zbuluar edhe emrat e vrasësve. Polici Zymberi nga plaga e rëndë ndërroi jetë atë mbrëmje në Klinikën Universitare në QKUK. Ai u varros me nderime të shumta në vendin e tij të lindjes. Ai u shpall Hero i Kosovës dhe mbahet mend në historinë më të re të shtetit të Kosovës për guximin dhe vullnetin për ndërtimin e shtetit dhe shtrirjen e integritetit territorial edhe në veri.