Identifikohen eshtrat e heroit Isa Boletini - ceremonia e rivarrimit me 28 nëntor 2014

Lajme

Identifikohen eshtrat e heroit Isa Boletini - ceremonia e rivarrimit me 28 nëntor 2014

Më: 30 tetor 2014 Në ora: 18:43

Ministri në detyr i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim familjarët e Heroit Kombëtar Isa Boletinit, Kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtirin si dhe Arsim Gërxhaliun, Drejtorin e Departamentit të Mjekësisë Ligjore në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Në këtë takim u prezantua se Departamenti të Mjekësisë Ligjore ka përgatitur një raport, të nënshkruar nga drejtori Arsim Gërxhaliu, sipas të cilit vërtetohet se eshtrat e sjella në Kosovë në vitin 1998 nga Mali i Zi, janë të heroit Isa Boletini. Sipas raportit, në analizat përfundimtare kanë ndihmuar edhe ekspertë nga EULEX-i.

Vlen të theksohet se më herët MKRS-ja ka përkrahur financiarisht realizmin e analizave të ADN-së të te gjitha 8 mbetjeve mortore në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Shkup dhe në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Strasbourgut.

Sipas raportit të hartuar nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore, nga 8 mbetje kockore të sjella nga Mali i Zi, përveç vërtetimit se një palë janë të Isa Boletinit, është theksuar në raport se një palë tjetër janë të Jonuz Ahmet Boletinit, ndërsa për 6 palë tjera nuk është arritur të vërtetohet identiteti.

Ministri Krasniqi ka thënë pas takimit se meqë Departamenti i Mjekësisë Ligjore ka vërtetuar se mbetjet mortore janë të Isa Boletinit dhe mbetjet tjera janë të një prej nipave të Isa Boletinit, do të kalohet në fazën tjetër.

“Unë i falënderoj të gjitha institucionet që kanë punuar deri tash në mënyrë profesionale në finalizimin e këtij procesi, që ka nisur para 3 vjetësh. Pas raportit të sjellë nga zoti Gerxhaliu ne biseduam për fazën tjetër të punës që është përgatitja e ceremonisë së rivarrimit të heroit tonë Isa Boletinit. Duke e ditur simbolikën dhe si kërkesë e familjarëve të Isa Boletinit, është vendosur që ceremonia të mbahet me datë 28 Nëntor 2014”, ka thënë ministri Krasniqi, duke shtuar se gjithçka tjetër sa i përket ceremonisë do të vendoset në fillim të javës së ardhshme.

Ai shtoi se figura e Isa Boletinit është gjithëkombëtare dhe për organizimin e ceremonisë do të ketë koordinim dhe bashkëveprim edhe me institucionet e Republikës së Shqipërisë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i familjes Boletini, Gazmend Boletini falënderoi ministrin Krasniqi dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për përkushtimin e treguar në gjithë këtë proces. Ai tha se do të angazhohen si familje për ceremoninë e rivarrimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat