Familjarët mbesin të shqetësuar me procesin e të zhdukurve

Lajme

Familjarët mbesin të shqetësuar me procesin e të zhdukurve

Më: 30 tetor 2014 Në ora: 18:19

Familjarët e të pagjeturve thonë se Departamenti i Mjekësisë Ligjore nuk po i kryen punët ashtu siç e kanë për detyrë.

Të shqetësuar me rastin e djeshëm në Gjakovë, ku personeli i EULEX-it, i cili punon për Departamentin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës, zbatoi një urdhër të gjykatës duke kryer kështu zhvarrosjen e 14 vendeve në Çabrat, me qëllim të korrigjimit të mbetjeve mortore që ishin gjetur në Serbi në vitin 2001, e të cilat ishin bashkuar gabimisht. Familjarët e kanë të vështirë të pranojnë gabime të tilla, thonë se protagonistët e çështjes së të pagjeturve nuk po punojnë me seriozitet.

Nga takimi i radhës i Komisionit për Persona t Pagjetur, sot u bë e ditur se takimi i radhës me palën serbe për vazhdimin e kërkimeve në lokacionet e Serbisë do të mbahet me 18 nëntor të këtij viti.

Bajram Qerkini, përfaqësues i familjeve të të zhdukurve, nga takimi i sotëm i Komisionit për Persona të Pagjetur, doli i shqetësuar e i zhgënjyer. Ai tha se nuk mund të nxjerrësh asnjë konkluzion nga një takim i tillë.

Për Qerkinin, Departamenti i Mjekësisë Ligjore nuk po i kryen punët ashtu siç e obligon titulli.

“Kur i bëjnë gjithë ato gabime, a është real me gabu pas 14 viteve me thanë hajde të qelim edhe këtë pjesë se është edhe një pjesë e dikujt tjetër, nana që është në lule kujton që e ka fëmin e vet aty i dalin tash dy, nana që është në lule, aty tash i dalin tre këmbë, aty i del një kokë, a ka kund kështu, veç në Afrikë në paqt ose në ato vende të cilat i kanë mbushur bërllogjet me trupa të njeriut e me mbetje kockore..... nuk mundesh me pru një konkluzion përveç që do të thuhet se do të mbahet një grup punes me 18 nëntor në Beograd, nuk ke definicione se çka më tutje”, ka thënë ai.

Qerkini tha se edhe 15 vite pas luftës nuk po arrihen të përfundohet as pjesë e punës që duhet drejtë zbardhjes së fatit te të pagjeturve.

Madje ai ka fajësuar grupin punes për mos verifikimin e shumë lokacioneve ku pretendohet se ka mbetje mortore.

“Është mizeri sa është duke u punuar në lokacione të qind për qindta të cilat edhe Bajram Qerkini i ka dhënë si shema disa vende të caktuara ku gjenden trupat e nuk shkojnë me kërkua. Kanë lënë shumë lokacione gjysmë, pse po i lënë gjysmë, me zgjatë mandatin e EULEX-it e këta me pushu?”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit për të Pagjeturit, tha se rastet e varrosura në varrezat e Çabratit dhe rastet e tjera të lidhura me to të varrosura në Klinë dhe në Malishevë, janë të lidhura me më shumë se 90 raste të tjera të individëve të cilët ende janë të regjistruar si persona të zhdukur. Sipas tij, procesi për zhvarrim është duke u zvarritur që dy vite nga mospajtimi i familjarëve të cilët kanë kundërshtuar rastin Çabrat.“Rasti i Çabratit është diçka i veçantë, unë mund të them se kjo është dashtë të ndodhë për arsye se është identifikuar se ekziston dyshimi për përzierje të mbetjeve mortore që dy vite është punuar në këtë drejtim për t’i bindë familjarët të pajtohen me zhvarrimin e disa trupave, gjegjësisht 14 trupave jo sikur mbrëmë në disa media u prezantua diku nga 18, 14 janë në Gjakovë, gjegjësisht në Çabrat, 4 në komunën e Klinës dhe një në komunën e Malishevës, gjithsej 19. Është provuar me familjarët për të biseduar, për t’i bindë, megjithëse ne vërejtjet tona i kemi përcjellë sepse EULEX-i në fillim ka filluar në mënyrë të fshehur të komunikojë me familjet kur ka hasë sharra në gozhde kushtimisht, atëherë ka kërkuar ndihmën tonë, dhe jemi përpjekur për t’i bindë familjarët që është procesii cili duhet të ndodhë dhe duhet të zhvillohet sepse nuk mund të mbahet peng një dyshim që mund të rezultojë me identifikimin e një personi”, ka thënë ai.

Gjetaj tha se ka lokacione që janë duke i hulumtuar në Serbi dhe në Kosovë, e kur të verifikohen informacionet do të ndodhin edhe gërmimet vlerësuese.

E për Rashkën, ai ritheksoi se nuk ka përfunduar, ani pse për palën serbe ajo veç konsiderohet e mbyllur. Gjetaj tha se Rashka mbetet opsion i hapur sepse kanë informacione shtesë për të cilat pala serbe veç është e njoftuar.

Ai bëri të ditur se me 18 nëntor do ta zhvillojnë takimin e radhës në Beograd, ku do të bëjnë kërkesë për verifikimin e lokacioneve.

Sipas tij, pala serbe është e detyruar të pranojë kërkesat e Kosovës, por në rast se ata do të kundërshtojnë atëherë do të kërkohet ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare.

E sa i përket 400 mbetjeve mortore ta cilat gjenden në morgun e Prishtinës, Gjetaj tha se nga ato mbetje mortore ka komplete e edhe mbetje mortore të cilat nuk kanë përputhshmëri të ADN-së.

Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, mbesin edhe 1 mijë e 659 persona të pagjetur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat