Presidenca: Për shkak të bllokadës politike nuk shkojmë në Beograd

Lajme

Presidenca: Për shkak të bllokadës politike nuk shkojmë në Beograd

Më: 30 tetor 2014 Në ora: 14:57

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vendosur të mos e pranojë ftesën e Komisionit Trilateral për vizitë në Beograd. Sipas Presidencës, anulimi i vizitës së Jahjagës në Beograd ndodh për shkak të bllokadës politike në Kosovë
“Presidentja e Republikës së Kosovës pas një analize të hollësishme të ftesës së Grupit Evropian të Komisionit Trilateral për pjesëmarrje në konferencën që organizohet në Beograd më 1 Nëntor, ka marrë vendimin që të mos marrë pjesë në konferencë, për shkak të gjendjes së krijuar në vend me pamundësinë e ndërtimit të institucioneve të reja”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.

“Qëndrueshmëria e shtetit dhe domosdoshmëria për të ndihmuar procesin e ndërtimit të institucioneve në vend kanë përcaktuar edhe vendimin e Presidentes Jahjaga, karshi edhe analizës së agjenda së përcaktuar të konferencës, nivelit të pjesëmarrësve dhe aspektet protokollare dhe organizative.

Presidentja Jahjaga e ka falënderuar organizatorin e konferencës së Grupit Evropian të Komisionit Trilateral, për ftesën për pjesëmarrje në njërin nga panelet e kësaj konference dhe vlerëson hapin e ndërmarrë si një përpjekje drejt krijimit të një klime të mirëbesimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Presidentja Jahjaga thekson se, pavarësisht nga pamundësia e pjesëmarrjes në konferencë, relaksimi I marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor hap perspektivën evropiane për të gjithë dhe ndihmon në krijimin e mirëbesimit ndërmjet qytetarëve të të gjitha vendeve.

Presidentja Jahjaga përfundimisht nuk shkon në Beograd

Presidentja e Kosovës i ka kthyer përgjigje negative organizatorëve të samitit të grupit Trelateral që do të organizohet në Beograd me datë 31 tetor deri më 2 nëntor.

Burime të mediave brenda presidencës thonë se para pak minutave, Jahjaga ka njoftuar organizatorët nëpërmjet një letre.

Shkas i mospjesëmarrjes së Jahjagës në Beograd, janë zhvillimet e brendshme dhe përpjekjet e presidentes për të lehtësuar dialogun e subjekteve politike, në mënyrë që sa më shpejt të krijohen institucionet e reja në Kosovë.

Ky organizim i grupit Trelateral tenton të përafrojë shtetet e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Në këtë takim i ftuar është kryeministri i Serbisë Aleksandar Vucic si dhe ai i Shqipërisë Edi Rama, bashkë me 180 mysafirë nga e gjithë Evropa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat