Musliu: Aferat e EULEX-it, ulin besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë

Lajme

Musliu: Aferat e EULEX-it, ulin besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë

Më: 30 tetor 2014 Në ora: 12:31

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ka theksuar se dyshimet e ngritura publikisht prej prokurores së EULEX-it, për veprimtari korruptive të prokurorëve, gjykatësve, zyrtarëve të lartë të EULEX-it si dhe sekserëve vendës, e kanë tronditur opinionin si në Kosovë, por edhe në Bruksel.

Betim Musliu, në një prononcim për media ka thënë se është “paradoksale dhe tejet shqetësuese që të flasim për një mision me kosto shumë të lartë për sundimin e ligjit”, brenda të cilit sipas tij, “ka individë që janë zbatues të ligjit ndaj të cilëve janë ngritur dyshime se janë protagonistë të korrupsionit të nivelit të lartë”.

“Pritjet e qytetarëve të Republikës së Kosovës nga zbatuesit e ligjit të misionit të sundimit të ligjit EULEX-it, kanë qenë me të drejtë shumë të mëdha, për shkak të problemeve dhe brishtësisë së sistemit vendor të drejtësisë. Ka kohë që qytetarët, shoqëria civile dhe të gjithë kanë filluar hapur të shprehin dëshpërimin me mungesën e rezultateve të misionit të sundimit të ligjit për luftimin e krimeve të luftës, krimit të organizuar dhe korrupsionit, kompetenca këto ekskluzive të këtij misioni”, shprehet Musliu.

Ai më tutje ka shtuar se besimi i qytetarëve në drejtësinë e ndarë në Kosovë, vazhdimisht në të gjitha sondazhet e realizuara nga organizata të ndryshme, ka qenë më i ulëti, duke shtuar se “dyshimet për këto afera korruptive edhe për brenda zbatuesve të ligjit nga ana e ndërkombëtarëve, padyshim se do të ndikojë në rënien drastike të besimit të qytetarëve të Kosovë”.

“Kjo është tejet shqetësuese, sepse në fund të fundit, gjithë kjo drejtësi, bëhet për qytetarët, të cilët duhet të besojnë në drejtësinë që ndahet, për tu legjitimuar, në të kundërtën, rrezikohet gjithçka sa i përket parimeve të së drejtës dhe legjitimit të saj”, ka deklaruar Musliu.

Ndryshe, prokurorja më e njohur e EULEX-it, Maria Bamieh ka siguruar prova se dy prej zyrtarëve me të lartë të EULEX-it kanë marrë ryshfet për të mbyllur të paktën tri raste të mëdha kriminale, duke shpërthyer kështu një valë të re të reagimeve dhe dyshimeve nga opinioni publik në Kosovë, për punën dhe angazhimin e këtij misioni, gjatë kohës që është duke vepruar, në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat