Atdhetari Sherif Tërstena ishte i shquar për trimëri dhe vendosmëri

Lajme

Atdhetari Sherif Tërstena ishte i shquar për trimëri dhe vendosmëri

Më: 25 tetor 2014 Në ora: 23:02

Para zbulimit të pllakës përkujtimore pranë varrit të atdhetarit Sherif Tërstena, që gjendet në Tërstenë të Shalës së Bajgorës, është mbajtur në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, në Mitrovicë, një akademi përkujtimore kushtuar këtij atdhetari të devotshëm, në të cilën përveç qindra qytetarëve nga Mitrovica, Kosova, Maqedonia e Shqipëria, ishin të pranishëm edhe Ministri i MTI-së, Ismet Mulaj dhe zëvendësministri Avni Kastrati, pastaj kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Bislim Imeri, nënkryetari i Komunës, Safet Kamberi etj.

Në fjalën e tij, kryetari Bahtiri tha se Sherif Tësrtena ishte njëri prej atdhetarëve më të mëdhenj të Shalës së Bajgorës, Komunës së Mitrovicës dhe Kosovës. “Nuk ka asnjë dyshim se atdhetari Sherif Tërstena dhe atdhetarët tjerë të Shalës së Bajgorës, për ne ishin heronj të Kosovës dhe të Kombit shqiptarë, por që për shkaqe tashmë të njohura, popullit për dekada të tëra nuk ju lejua që t’i nderojnë, respektojnë e përkujtojnë publikisht heronjtë e tyre, të cilët populli kurrë nuk i nxori nga zemra”, tha fillimisht në akademi kryetari Bahtiri.

Ai tha se ndjehet shumë i lumtur dhe i nderuar që i është dhënë rasti, që si kryetar i komunës, në emër të qytetarëve të Mitrovicës e më gjerë, t’i thotë patriotit Sherif Tërstena se jo vetëm mitrovicasit, por edhe të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, krenohen me emrin dhe veprën e tij.

“Ne jemi të vetëdijshëm se borxhit të atdhetarit Sherif Tërstena dhe atdhetarëve tjerë nuk mund tu dalim kurrë, por me mundësitë tona modeste buxhetore që kemi, vendosëm që të rregullojmë kompleksin e varrezave në Tërstenë, ku prehet patrioti ynë i dashur dhe të vendosim pranë varrit të tij një pllakë përkujtimore, në shenjë nderimi e respekti për gjithë atë që ka bërë për ne”, ka thënë ndër të tjera kryetari Bahtiri

Fjalën kryesore në akademi e paraqiti veprimtari Asllan Istrefi, i cili fillimisht tha se Sherif Tërstena ishte, edhepse shumë i ri, ishte pjesëmarrës i Luiftës së Kollashinit, Luftës së Borqanit, Luftës së Bajgorës e Picelit, Luftës së Rrëzhanës, Luftës së Shaban Polluzhës, përkatësisht Luftës së Gradicës, Luftës së Shtitaricës, L:uftës së Shupkofcit, etj, lufta këto që u zhvilluan në vitet 1941, 1942, 1943 dhe 1944.

“Fati i Sherif Tësrtenës shëmbëllen me fatin e vendlindjes së tij, me fatin e Kosovës që përherë i ndejën sipëri re të plumbta. Tërë jetën ishte i thjeshtë. Tërë jetën u mundua për të mirën e popullit dhe të atdheut. Këtë rrugë e ndoqi me ngulm të madh deri në vdekje. Përherë ishte dhe mbeti luftëtarë për të vërtetën, ndonëse pesëdhjetë vjet bëri jetë të pasigurt. I ndjekur në Kosovë, i ndjekur në Shqipëri, i burgosur në Kosovë, i internuar në Shqipëri”, tha ndër të tjera Istrefi.

Vajza e atdhetarit të ndjerë Elinda Tërstena e lindur dhe rritur në Shqipëri, falënderoi shumë pushtetarët aktual për kujdesin që treguan për të ngritur pllakë përkujtimore për babin e saj dhe për të organizuar akademinë përkujtimore.

“Ju falënderoj shumë për vlerësimin që keni për babin tim. Fjala faleminderit është shumë e vogël karshi punës tuaj që bëtë për babin tim. Një amanet që na e ka lënë baba ne fëmijëve ishte që të punët tona t’i zgjedhim në emrin tonë e jo në emrin e tij. Të mos rrahim gjoks për të, sepse sado që kostumin ta ndërrosh, lëkura është e jona, thoshte ai. E ne i themi sot këtu në vendlindjen e tij babit se ne vepruam si ai kërkoi, por është vendi i yt që rrah gjoks për ty dhe ta ka qep një kostum të artë, që të rrinë shumë mirë. Faleminderit miq. Unë jam një nga ju, Sherifi është i juaji”, tha ndër të tjera Elinda, e bija e atdhetarit Sherif Tërstena.

Pas përfundimit të akademisë, edhe në Tërstenë ku u zbulua pllaka përkujtimore e këtij atdhetari, shkuan qindra qytetarë. Nënkryetari i Komunës, Safet Kamberi, tha se Komuna nuk mund t’i dal hakosh kurrë Sherifit dhe atdhetarëve tjerë. “Mirëpo, në bëmë atë që aktualisht mundëm të bëjmë dhe rregulluam këto varreza këtu dhe ngritëm pllakën përkujtimore, në shenjë nderimi e respekti për atë që për ne bëri ai. Tani e tutje kushdo që kalon këtu pari, sigurisht se do të inspirohet për atdhedashuri”, tha ndër të tjera Kamberi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat