Kosova synim parësor ka anëtarësimin në OKB

Lajme

Kosova synim parësor ka anëtarësimin në OKB

Më: 25 tetor 2014 Në ora: 19:31

Republika e Kosovës në kuadër të strategjisë për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë, synim parësor ka edhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Njohës të së drejtës ndërkombëtare, thonë se Kosova angazhohet në ndërtimin e subjektivitetit ndërkombëtarë, por sfidë ende mbetet vetoja ruse, e cila pengon anëtarësimin e saj në OKB.

Edhe përkundër përpjekjeve të Kosovës për afrimin e anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, njohës të politikës ndërkombëtare thonë se gjasat për sukses të menjëhershëm janë të ulëta. Profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës Afrim Hoti thotë se Kosova është në rrugën e saj të krijimit të një subjektiviteti ndërkombëtarë por ende ka çalime serioze në këtë drejtim.

“Megjithatë në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare në dritën e parimeve mbi të cilat ndërtohen shtetet Kosova ka rrugën e saj të ndarë dhe po ecën në këtë drejtim, ndërkohë që kur do të jetë ajo subjekt i plotë i barabartë në kuptimin e kartës së OKB-së kjo për momentin tingëllon spekulative nëse japim çfarëdo parashikimi dhe kjo mbetet të shihet në vijim”, tha ai.

Profesor Hoti thotë se Kosova ka qenë e përgatitur për të qenë pjesë e OKB-së që nga momenti i shpalljes së pavarësisë së vendit dhe për aplikim në OKB janë dy shpjegime:

“Në kuptimin procedural Kosova mund të aplikojë që sot, sepse procedura është standarde dhe e njohur për të gjitha shtetet që janë të interesuara të jenë pjesë e OKB-së. Do të thotë përmes një aplikacioni që dërgohet te sekretaria e përgjithshme dhe pastaj përcillet te Këshilli i Sigurimit dhe tek Asambleja e Përgjithshme. Në kuptimin politik mendoj se Kosova ballafaqohet me probleme mbase të patejkalueshme dhe kjo na bën që të mendojmë për të gjetur momentin e duhur në aspektin kohor kur të jenë pjekur kushtet dhe rrethanat gjeopolitike i mundësojnë Kosovës që të aplikojë apo të paraqes aplikacionin dhe relativisht të merr miratimin ose përgjigjejen pozitive. Në konstelacionin e tanishëm të ngjarjeve gjeopolitike duket se pak është e besueshme që Kosova në periudhë afatshkurtër të jetë anëtare e OKB-së”, thotë Hoti.

Sfidë kryesore mbetet e drejta e vetos ruse prandaj sipas profesor Hotit duhen përpjekje që kjo e drejtë e tyre të neutralizohet:

“Historikisht dihet se Federata Ruse është shteti apo anëtari i përhershëm i Këshillit të sigurimit që ka përdorur më së shpeshti të drejtë ne vetos. Duke pasur parasysh këtë praktikë dhe duke pasur parasysh deklarimet e hapura të rusëve që nuk do të lejojnë kalimin e aplikacionit ose të kërkesës së Kosovës për të qenë pjesë e OKB-së atëherë del që kjo të jetë sfida kryesore ose në këtë rrethana për momenti ne patejkalueshme për Kosovën, për të gjetur vendi ne vet në OKB. Për vendet e tjera dhe në shumë media apo edhe në shumë qarqe mbetet edhe çështja e Kinës, unë mendoj se edhe pse Kina nuk do ta shihte me admirim çështjen e anëtarësisë së Kosovës të paktën do të qëndronte neutrale, që për neve do të merrej si përgjigjeje pozitive sepse të qenurit neutral ose të paktën vetëm të mos kundërshtohet formalisht nga një shtet merret si përgjigjeje pozitive. Në këtë drejtim i gjithë potenciali ose forca jonë do të duhej të koordinohej bashkë me fuqi tjera që të paktën të neutralizohej federata ruse, kjo duket për momentin kogja e vështirë po mbase në një periudhë afatmesme edhe kjo do të bëhet realitet”.

Organizata e Kombeve të Bashkuara është formuar me 24 tetor të vitit 1945, me qëllim të ruajtës së paqes, sigurisë dhe mirëqenies e të gjithë qytetarëve në mbarë botën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat