Bahtiri: Unë realizues, Avni Kastrati mashtrues

Lajme

Bahtiri: Unë realizues, Avni Kastrati mashtrues

Më: 25 tetor 2014 Në ora: 11:13

Agim Bahtiri vazhdon t’i qëndrojë prapa premtimeve astronomike që dha gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit lokale në garën për Kryetar të Mitrovicës së Jugut.

Në gjysmën e nëntorit të këtij viti, Bahtiri thotë se do të sjellë investime në Komunën që aktualisht e drejton, në vlerë prej 43 milionë euro.

Komentet e të parit të Mitrovicës vijnë si përgjigje pas deklaratave të Avni Kastratit se Agim Bahtiri është një “mashtrues legjendar”.

Kastrati, i cili humbi garën në balotazhin e zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, duke folur për Politko.net, ka vlerësuar se asnjë nga premtimet nuk është përmbushur deri më tani.

“Defektet kryesore janë se ka mashtruar. Ka premtuar më tepër sesa është e logjikshme të imagjinohet, dhe aty është dështimi kryesor”.

Por, në një prononcim për Politiko.net, Agim Bahtiri thotë se humbësit nuk duhet të flasin.

I bindur se po realizon premtimet, shton se mashtrues është vetë Avni Kastrati.

“Mashtrues është Avni Kastrati, ndërsa unë jam realizues i gjithë asaj që kam premtuar. Për çdo ditë unë kam risi të mira në atë drejtim, në të cilin kam premtuar. Të gjitha premtimeve, të cilat i kam dhënë, u jam përmbajtur pikë për pikë”.

“Unë po premtoj se do ta nënshkruaj një kontratë me pesë pika dhe me datën 14 do të bëj kontratë në vlerë prej 43 milionë euro që do të vijnë investime në Mitrovicë”.

“Avni Kastrati është humbës dhe humbësi nuk duhet të flasë. Ndërsa, ai që ka fituar zgjedhjet, ai punon dhe i realizon premtimet e veta”.

Bahtiri thekson se prej ardhjes së tij në krye të Komunës e ka zhdukur korrupsionin dhe kontrabandën.

“Së pari, zhdukjen e korrupsionit. Korrupsioni është zero në resorët e ndryshëm. Zhdukja e korrupsionit është armë e fuqishme për investitorët e huaj”.

“Pastaj, kontrabanda është zero. Investimet të cilat po vijnë në Mitrovicë janë një kërkesë e madhe”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat