Daçiq: Takimet me Thaçin nuk do të thonë që kemi njohur Kosovën

Lajme

Daçiq: Takimet me Thaçin nuk do të thonë që kemi njohur Kosovën

Më: 24 tetor 2014 Në ora: 18:55

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Dacic, ka hedhur poshtë pretendimet e liderëve shqiptarë të Kosovës që shteti serb "de facto ka njohur Kosovën", duke thënë se Serbia nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj dhe nuk e ka ndërmend që këtë ta bëjë.
Ai shtoi se edhe nëse vije deri tek një takim në mes të presidentit të Serbisë, Tomislav Nikolic, dhe të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjagës, kjo nuk do të thotë se Serbia është e gatshme që të ndryshojë pozicionin e tij karshi Kosovës, transmeton Telegrafi.

"Unë jam takuar më shumë se 40 herë me (kryeministrin e Kosovës Hashim) Thaçin, dhe nuk kam ndryshuar qëndrim," u tha gazetarëve, Dacic.

Ai tha se shtyrja e vizitës së kryeministrit të Shqipërisë në Beograd, Edi Rama, është vendim i mirëpritur, pasi në këtë formë do të ulen tensionet e shkaktuara pas incidentit në ndeshjen futbollistike në mes të Serbisë dhe Shqipërisë.

Sipas tij, përgatitjet për vizitën e tij janë duke u zhvilluar, por ende nuk është përcaktuar saktësisht agjenda e vizitës së kryeministrit shqiptar.

Dacic vlerësoi se pas konferencës së djeshme, në të cilën morën pjesë përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Serbia ka kaluar një ndër provimet më të rëndësishme dhe dëshmoi se është faktor stabiliteti në rajon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat