Kuçi: Politika të mos e mbulojë as sportin – kjo vlen edhe për UEFA-n

Lajme

Kuçi: Politika të mos e mbulojë as sportin – kjo vlen edhe për UEFA-n

Më: 24 tetor 2014 Në ora: 16:03

Vendimin e shtëpisë evropiane të futbollit (UEFA), për ndeshjen në mes Serbisë dhe Shqipërisë, e ka komentuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili ka thënë se vendimi i UEFA-S, është politik.
Ai mendon se “që nga organizimi i ndeshjes, vetë loja, shikuesit, arsyeja e ndërprerjes së ndeshjes, sjellja e huliganëve në fushë dhe jashtë saj, si dhe të gjitha reagimet tjera, ishin politike”.

“Vendimi i sotëm, është i po kësaj natyre - politike. Vendimi është politik, sepse më shumë shpreh atë që mendon dikush për Serbinë, Shqipërinë apo edhe për rajonin, se sa për futbollin. Ky vendim do të mund të ishte marr në ndonjë konferencë politike. Ka pasur vendime të tilla balancuese apo edhe dëmtuese për shqiptarët, gjatë historisë, por ky vendim nuk përket me drejtësi, ngase drejtësia nuk njeh kompromise, baraspesha apo perceptime, por vetëm fakte të cilat në këtë rast ishin në anën e Shqipërisë”, ka thënë Kuçi për mediat.

Ai më tutje ka theksuar se vendim i UEFA-s, nuk duhet ta merr kahjen e trajtimit politik, dhe të trajtohet sipas tij, në bazë të pyetjes se më kënd është Evropa apo bota, por të lihet si pjesë e futbollit.

“Ne duhet t’i fitojmë ndeshjet, qoftë në fusha sportive apo edhe politike. Ndeshjet i fitojmë kur jemi koheziv, të përgatitur, argumentues dhe bindës për botën demokratike. Ne e kemi fituar këtë ballafaqim, duke u bazuar në pritjet të cilat i kemi pasur nga ky takim, në prizmin nacional. Duhet të punojmë të gjithë që politika të mos e mbulojë pjesën tjetër të jetës, madje as sportin. Kjo vlen për ne që jetojmë në këtë rajon, por duket edhe për ata në UEFA”, ka deklaruar Kuçi.

Ndryshe, institucioni më i lartë i futbollit evropian, UEFA, të premten ka vendosur t’i dhurojë Serbisë fitoren 3-0 për ndeshjen e ndërprerë ndaj Shqipërisë.

Vendimi i Komisionit Disiplinor dhe të Etikës në UEFA për ndeshjen e ndërprerë në minutën e 41-të më 14 tetor në Beograd për eliminatoret e Kampionatit Evropian “Francë 2016”, u morr qysh dje, por u dha vetëm sot në mëngjes.

Kështu Shqipëria ka marrë përgjigjen më pak të pritur nga UEFA, duke humbur ndeshjen 3-0 në tavolinë ndaj Serbisë.

Por edhe pse iu dhurua fitorja, Serbia nuk do të përfitojë pikë, pasi si ndëshkim asaj do t’i hiqen 3 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat