Nagavci: Mësimdhënës me diploma false dhe të pakualifikuar

Lajme

Nagavci: Mësimdhënës me diploma false dhe të pakualifikuar

Më: 24 tetor 2014 Në ora: 14:21

Shkollat e Prishtinës kanë mësimdhënës të pakualifikuar dhe me diploma false, të cilët janë punësuar me rekomandime, ka thënë drejtoresha e arsimit në Komunën e Prishtinës Arbërie Nagravci. Ndërkaq eksperti i arsimit Halim Hyseni ka thënë se rezultatet e maturës janë të fryra.
Rezultatet e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme janë të fryra dhe si të tilla nuk pasqyrojnë cilësinë e drejtë të nivelit arsimor parauniversitar të Kosovës, ka vlerësuar eksperti i arsimit Halim Hyseni.
Gjatë një debati, ku u diskutua për nivelin e arsimit në Kosovë, që u mbajt në Prishtinë, Hyseni vlerësoi se gjendja e arsimit në vend është në krizë.
Hyseni në një prononcim për lajmi.net shprehu nevojën për ndërmarrjen e reformave urgjente për të dal nga kjo situatë, ndërsa shprehu shqetësimin e tij për rezultatet e testit të maturës, që sipas tij, nuk janë reale dhe janë të fryra.
“Unë kamë vërejtje se këto teste maten me diçka që nuk është shumë valide për qytetarët e Kosovës. Ato rezultate që kanë dal dhe dalin nuk masin çka duhet me mat edhe në ato që ata dëshirojnë që të dalin të kënaqur”.
“Rezultatet janë të fryra dhe nuk e pasqyrojnë gjendjen reale. Shikoni se si e kemi gjendjen, arsimimi ndryshon pamjen e vendit, sjelljet e njerëzve kështu që gjitha këto flasin se e kemi arsimin në krizë”, ka thënë Halimi”.
Në këtë debat u ngrit edhe çështja e nivelit të vlerësimit të mësimdhënësve nëpër shkolla fillore e të mesme. Ishte drejtoresha e Arsimin në komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci e cila bëri të ditur se nga vizitat që ajo ka bërë në shkollat e kësaj komune, tha se ka gjetur profesorë të pakualifikuar dhe me diploma false.
Ajo gjithashtu potencoi se problemi kryesor i arsimit parauniversitar është emërimi i mësimdhënësve dhe drejtorëve nga politika.
“Një ndër defektet kryesore të arsimit në Kosovë është çështja e politizimit të skajshëm dhe punësimit pa kritere dhe pa vlerësim të përformances së mësimdhënësve”.
“Me keqardhje dhe pa dashur që ta politizojë këtë çështje duhet të them se akoma kemi shumë mësimdhënës të pa kualifikuar të cilët vazhdojnë të japim mësim në shkollat tona”.
“Kemi identifikuar edhe persona me diploma false të cilët me vite kanë marr pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës”.
“Kemi pyetur drejtorët e shkollave se pse nuk është hapur vendi pune për këta persona dhe përgjigja gjithmonë ka qenë se këta janë punësuar me rekomandim”, ka thënë Nagavci.
Ndryshe në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe Lëvizja FOL , përmes Klubit të Debatit për Arsim “EDU club” mbi sukseset e nxënësve të nivelit fillor dhe të mesëm, u tha se nuk ka ndonjë instrument matës që tregon performancën e drejtorëve dhe mësimdhënësve .

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat